Bare flet për sfidat tek Atletico, pret ftesën e Panuccit

Bare flet për sfidat tek Atletico, pret ftesën e Panuccit

09 nëntor 2017 22:51

Keidi Bare, lojtari ekipit Kombëtares shqiptare Shpresa, prej mëse 4 vitesh është pjesë e Atletico Madridit, nga akademia dhe nga fillimi i këtij sezonit është vënë nën urdhrat e skuadrës së parë të drejtuar nga Simeone. Megjithatë për të qenë pjesë e lojës atij i duhet të fitojë duelin me lojtarë si Koke apo Gabi.

“Normal është shumë e vështirë, por në futboll asgjë nuk është e pamundur. Bëhet fjalë për lojtarë të formuar dhe është shumë e vështirë, por siç e thashë, asgjë nuk është e pamundur”, thotë Keidi Bare.

Megjithatë si më i vogli i ekipit, Bare mbahet afër nga të gjithë.

“Portieri Moja, Saul, e Torres. Gabi është një lider në dhomat e zhveshjes ashtu si edhe në lojë. Ai më këshillon dhe më flet gjithmonë. Më jep detyra kur i thonë dhe kaq”, tha Bare për Top Channel.

Ndërkohë që prej disa kohësh media spanjolle e përmendin veç aftësive të tij sportive, edhe për marrëdhënien me vajzën e zëvendësit të Simeones, German Burgos. Por për Baren kjo gjë nuk ka ndikuar aspak në karrierën e tij sportive.

“Unë tek Atletico kam vajtur me forcat e mia. Mund të funksionojë këtu në Shqipëri që po të lidhesh me vajzën e trajnerit të luash në formacion, por në Spanjë dhe kudo jashtë nuk funksionon kështu, edhe pse shqiptarët kanë një mentalitet të keq. Për mua nuk do të thotë asgjë sepse unë e njoh shumë mirë veten time dhe punën e sakrificën që kam bërë për të arritur tek Atletico”, u shpreh Bare.

Edhe pse i fokusuar te Kombëtarja U21, Bare nuk e fsheh dëshirën dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e Kombëtares A.

“Unë jam tani i fokusuar tek Kombëtarja U21 dhe siç thashë më mirë vonë se sa kurrë. Unë jam i gatshëm të luaj si këtu ashtu edhe tek Kombëtarja A”, thotë futbollisti i Atletico Madrid.

Dhe kur e pyet nëse trajneri Panucci e ka komunikuar ndonjëherë për ta parë si alternativë, Bare përgjigjet: “Jo asgjë, asnjë komunikim”, shprehet Keidi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme