Sport

Kroacia “demolon” Greqinë, me një këmbë në Botëror

Kroacia pothuajse ka siguruar kualifikimin në Botërorin “Rusia 2018”, kjo pasi shënoi fitore bindëse ndaj Greqisë në ndeshjen e parë të “play-offit”.

Kroatët u treguan të pamëshirshëm ndaj grekëve, duke fituar përballjen e parë me rezultat 4 me 1, raporton Koha.net.

Ishte ylli i Real Madridit dhe kapiteni i Kroacisë, Luka Modriq ai që u përkujdes për epërsinë e parë të vendasve, duke realizuar nga penaltia në minutën e 13.

Epërsinë e dyfishoi sulmuesi i Milanit, Nikola Kaliniq në minutën e 19, pas asistimit nga Striniq.

Greqia e ngushtoi epërsinë në minutën e 30 përmes Sokratis, megjithatë pas vetëm 3 minutave kroatët shënuan edhe njëherë përmes yllit të Interit, Ivan Perishiq, që shënoi pas asistimit nga Vrsaljko, transmeton Koha.net.

Kroatët, që dominuan këtë takim, shënuan edhe njëherë në pjesën e dytë përmes Kramariqit, për të cilin po ashtu asistoi Vrsaljko.

Ndeshja kthyese zhvillohet më 12 nëntor në Greqi.