Sport

Morata tregon arsyen e largimit nga Reali

Sulmuesi spanjoll, Alvaro Morata këtë verë iu bashkua Chelseat nga gjiganti spanjoll, Real Madrid.

Ai ka një arsye për largimin nga kampioni i Evropës. Morata thotë se nuk ka mundur ta përballonte faktin që ishte zgjedhja e dytë e Zinedine Zidanet për sulmin, prandaj vendosi të largohej nga Real Madridi në verë.

Sulmuesi 25-vjeçar thekson se nuk është pishman që iu bashkua Chelseat dhe se do të dëshironte të luante një kohë të gjatë me Blutë, transmeton KP.

Por ai gjithashtu zbulon se vendimtare për largimin e tij nga Bernabeu ka qenë Kupa e Botës ku ka dashur që me çdo kusht të ishte pjesë e kombëtares së Spanjës.

“Nuk do të bëhesha pishman asnjëherë që i jam bashkuar një klubi si Chelsea dhe shpresoj të jem pjesë e këtij klubi edhe për shumë vite”, ka thënë Morata. “Reali nuk ma dha mundësinë që të luaja çdo javë, pa marrë parasysh nëse paraqitjet e mija ishin të mira apo jo”.

“Do t’i jem mirënjohës trajnerit Zidane përgjithmonëë, sepse ai më dha mundësinë për të fituar edhe një Ligë të Kampionëve dhe të luaj në Real Madrid”, u shpreh ai.

“Zidane më tha: ‘Alvaro, unë e kuptoj që ti dëshiron të luash e të kesh vazhdimësi dhe e shoh të logjikshme që dëshiron të largohesh’. Ai më tha se nëse dëshiroja mund të qëndroja, por, po ashtu më tha se kishte shumë opsione në sulm”, vazhdoi spanjolli.

“Vendosa që më e mira ishte të largohesha, sepse ishte Kupa e Botës përpara dhe doja të isha pjesë e saj. Dua të jem i rëndësishëm për Spanjën dhe për këtë më duhej të kisha vazhdimësinë që e kam”, tha në fund Morata.

Chelsea i ka paguar Real Madridit 70 milionë funte për sulmuesin spanjoll.