Kosova kryen stërvitjen e parë, optimizëm para sfidës me Letoninë

Kosova kryen stërvitjen e parë, optimizëm para sfidës me Letoninë

09 nëntor 2017 17:49

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, sot në “Rexhep Rexhepi” te Drenasit, ka mbajtur stërvitjen e parë para miqësores me Letoninë.

Kosova dhe Letonia do të përballen të hënën mbrëma në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” të Mitrovicës në ndeshjen miqësore, e para e këtij lloji pas dy viteve.

Trajnerët Muharrem Sahiti dhe Genc Hoxha, të cilët do ta drejtojnë Kosovën në miqësoren kundër Letonisë, pasi akoma nuk është zgjedhur përzgjedhësi i ri, për një orë e gjysmë nga afër panë formën e lojtarëve të ftuar për duelin e të së hënës mbrëma.

Mbrojtësi Mërgim Vojvoda ka thënë për KP se stërvitja e parë ka rrjedhur mirë, edhe pse sipas tij, lojtarët ishin të lodhur nga udhëtimet e gjata. Megjithatë, Vojvoda pret që stadiumi të jetë e mbushur më tifozë. Ai beson se Kosova mund ta mposht Letoninë.

“Stërvitja ishte e mirë, kemi luajtur shumë me top, kemi bërë disa lojëra (taktika) që mund t’i bëjmë në lojë. Kemi qenë pak të lodhur pasi që disa lojtarë kanë udhëtuar natën, dhe kjo ka qenë si relaks, ndërsa nesër do të fillojnë ushtrimet intensive. Po kjo është hera e parë dhe këtë e presim moti, e kemi pa se edhe kur luanim në Shqipëri nuk kishim shumë tifozë, besoj se tash do të jetë stadiumi plot dhe kjo na jep forcë edhe më shumë së në tjerat lojë dhe ishalla arrijmë fitore”, ka thënë Vojvoda.

Paraqitje të mirë të përfaqësueses kosovare, në duel me Letoninë, pret edhe mesfushori Milot Rashica. Anëtari i Vitesses mendon se të luash në Kosovë është ndenjë krejtësisht tjetër. Rashica thotë se më përkrahjen e tifozëve, Kosova do të jetë paraqitje të mirë në sfidën e radhës.

“Besoj një ndeshje të mirë pasi që është hera e parë që pas shumë kohëve luajmë në vendin tonë, është një ndjenje krejtësisht tjetër dhe besoj se më përkrahjen e tifozëve do të japim maksimumin. Dje jemi grumbulluar, atmosfera deri tash është e mirë dhe shpresoj se do të vazhdojmë edhe ditëve tjera”, ka theksuar Rashica.

E Suad Sahiti, i cili për herë të parë vesh fanellën e Kosovës, thotë se ndjehet i ngazëllyer që është pjesë e përfaqësueses. Mesfushori i Skënderbeut shpreson se Kosova do t’i kënaq tifozët e shumtë më lojë, por edhe me rezultat në përballje me Letoninë.

“Normal se është një ndjenjë shumë e veçantë ta përfaqësosh vendin tënd, ndjehem shumë mirë në Kombëtaren e Kosovës, është ndjenjë shumë e veçantë ta përfaqësosh vendin. Jam pritur mirë nga stafi, lojtarët dhe jam shumë i kënaqur që jam pjesë e këtyre lojtarëve dhe stafit të Kosovës. Normal luajmë lojë në shtetin tonë, është ndeshja e parë që luajmë këtu, dhe këta çuna duhet t’i krenojnë gjithë shqiptarët dhe besoj në një rezultat pozitiv që gjithë shqiptarët, kosovarët të kënaqen më një rezultat të mirë, më një ndeshje të bukur dhe të festojmë së bashku, edhe pse është një ndeshje miqësore, mirëpo duhet të fokusohemi në ndeshje të mirë dhe besojmë në rezultat pozitiv, sepse kemi ekip të mirë”, ka deklaruar Sahiti.

Stërvitjen e dytë Kosova e mban nesër, përsëri në “Rexhep Rexhepi” të Drenasit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme