NBA, Warriors dhe Celtics triumfojnë sërish

NBA, Warriors dhe Celtics triumfojnë sërish

09 nëntor 2017 13:52

Golden State dhe Boston Celtics vijojnë serinë e fitoreve në NBA. Skuadra kampione në fuqi mposhti Minnesota Timberwolves me rezultatin 125-101, në “Oracle Arena”.

“Warriors”-at e bënë diferencën në periodën e tretë të takimit, pasi 24 minutat e para u mbyllën me rezultatin e ngushtë 51-50 për Golden State. Gjithçka ndodhi në momentin kur Minnesota arriti të marrë kryesimin në 53-52.

Klay Thompson dhe Stephen Curry shpërthyen në parket duke shënuar respektivisht 28 dhe 22 pikë për t’i dhënë Golden State avantazhin në 44-26, që e mbylli praktikisht ndeshjen. Në periodën e fundit Golden State e thelloi këtë avantazh, duke e mbyllur këtë 12 minutësh 30-25, duke marrë një fitore që e lejon atë të qëndrojë në krye të Konferencës së Perëndimit, me 9 fitore dhe 3 humbje, ndërkohë që për Minnesotën kjo ishte humbja e pestë sezonale.

Bostoni shfaqi forcën e tij ndaj Los Angeles Lakers, skuadër të cilën e mundi 107-96 duke regjistruar fitoren e 10.

Në “TD Garden”, “Celtics” i bënë një fillim të vrullshëm ndeshjes, duke e mbyllur periodën e parë 33-16. Por në dy periodat e radhës, Bostoni lëshoi në lojë duke rrezikuar shumë, pasi Los Angeles Lakers arriti të reduktojë disavantazhin deri në 3 pikë.

Por në çastet e fundit, Baynes dhe Irving, që e mbyllën sfidën me 21 dhe 19 pikë të shënuara respektivisht, e sistemuan situatën për Bostonin, duke i dhënë mundësinë atij të fitojë një tjetër sfidë.

Detroit konfirmohet si forca e dytë e Konferencës së Lindjes në këtë moment. Në “Auburn Hills”, “Pistons”-at mposhtën këtë radhë Indianën me rezultatin 114-97, në një ndeshje ku ajo e pa veten në disavantazhin 22-30 në periodën e parë, ndërkohë që perioda e tretë u mbyll 23-23.

Perioda e dytë dhe e katërt ishin ato që folën krejtësisht për Detroitin, që bëri një paraqitje të shkëlqyer duke i fituar respektivisht 37-22 dhe 32-22, për të regjistruar fitoren e 8 në 11 ndeshje të zhvilluara. Në sfidat e tjera të NBA-së, New York e pagoi shtrenjtë mungesën e Porzingis dhe u mposht nga Orlando në Florida 99-112, ndërsa Miami Heat mundi Phoenix Suns 126-115.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme