Përfaqësuesja e Kosovës U-21 e bindur në fitore kundër Izraelit

Përfaqësuesja e Kosovës U-21 e bindur në fitore kundër Izraelit

08 nëntor 2017 19:07

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll U-21 ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, para ndeshjes kundër Izraelit.

Përzgjedhësi Rafet Prekazi, ka bërë të ditur për KosovaPress se gjendja e përgjithshme në skuadër është për lakmi dhe se po punohet shumë që nesër të arrihet fitore dhe të zhvillohet një lojë e mirë.

Sipas tij, të gjithë janë të vetëdijshëm për kualitetin e kundërshtarit, por do të jepet maksimumi për të dëshmuar se paraqitjet e mira të kësaj përfaqësuese, nuk kanë qenë të rastësishme. Ai ka ftuar tifozët që nesër të jenë në numër sa më të madh në stadium, për ta mbështetur skuadrën, për të cilën tha se ka nevojë.

“Punojmë për me ardhur te suksesi, një lojë e mirë dhe te fitorja. Duhet të japim mbi 100 për qind për shumë arsye, me iu tregu mbarë Evropës se këto lojë të cilat i kemi zhvilluar, nuk janë të rastësishme dhe nuk jemi kafshatë e lehtë për asnjë përfaqësuese në Evropë. Jemi të vetëdijshëm për kualitetin e kundërshtarit dhe tonin, mirëpo këta djemtë kanë material, këtu ka brumë, vetëm duhet populli dhe të gjithë ne me i mbështetë. Sikur çdoherë gjendja në mesin e lojtarëve është për lakmi. Unë, stafi dhe të gjithë duhet me u mburr me këta djemtë që i kemi shqiptarë të Kosovës”, ka thënë Prekazi.

Kapiteni i përfaqësueses, Rron Broja tha se nesër i pret një ndeshje e vështirë, por skuadra ka punuar shumë dhe me pak fat mund të arrihet rezultat pozitiv.

“Nesër është një ndeshje shumë e vështirë për ne, mirëpo jemi përgatitur mjaft mirë, kemi punuar gjatë këtyre ditëve të fundit shumë për këtë ndeshje. Besoj se nesër me pak fat dhe shumë punë, kemi me arrit rezultat të suksesshëm”, theksoi Broja.

Edhe portieri Visar Bekaj, u shpreh i bindur në fitore.

“Pres një atmosferë të mirë dhe fitore nga ana jonë”, tha shkurt Bekaj.

Ndryshe, ndeshja në mes të Kosovës dhe Izraelit do të zhvillohet të enjten në orën 19:00 në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme