Sport

Veseli: Stadiumi Olimpik do të ndërtohet në Drenas

Descriptive Text

Është përuruar faza e parë e stadiumit të qytetit të Kaçanikut që mban emrin e dëshmorit “Besnik Begunca”, e që ndërtimi i tij ka kushtuar mbi 300 mijë euro.

Për të përuruar këtë stadium ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili premtoi se në katër vitet e ardhshme do të investojnë rreth 100 milionë euro në stadiume.

Po ashtu, Veseli përmendi ndërtimin e Stadiumit Olimpik të Kosovës për të cilin tha se do të ndërtohet në Drenas.

“Do të vazhdojmë investimet në sport, sporti do të jetë prioritet ynë për katër vitet e ardhshme. Do të investojmë minimalisht në këto katër vitet rreth 100 milionë euro vetëm në stadiume, të jeni të sigurt. Ky stadium nuk është përfunduar është në fazën fillestare do të ndërtohen edhe tribunat. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe stadiumin në Vushtrri, do ta ndërtojmë një stadium i cili do t’i përmbushë të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare. Jemi në fazën finale të një investimi i cili do të jetë afër Stadiumit më të madh Olimpik, e cila do të jetë edhe qendër sportive në Drenas të cilën do ta ndërtojmë një investim 50 milionë euro , në të njëjtën kohë do të vazhdojmë në komunën e Prizrenit stadiumin e dytë më të madh në Republikën e Kosovës”, tha Veseli në Kaçanik, raporton Kosovapress.

Po ashtu, ai tha se stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë do të finalizohet shumë shpejt, si dhe stadiumi i Prishtinës, për të cilin tha se edhe pse i vogël është në qendër të Kosovës dhe është krenari e futbollit.

Veseli tha se do të vazhdojnë të ndërtojnë edhe shumë stadiume të futbollit të vogël dhe në të njëjtën kohë në çdo shkollë do të ndërtohen terrene sportive.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se janë dakorduar që do të vazhdojnë edhe me fazën e dytë të ndërtimit të këtij stadiumi e që do të rregullojnë edhe tribunat.

Ministri Gashi tha se gjatë mandatit të tij do të bëjë përpjekje që të realizojnë nga një stadium në çdo qytet.

“Unë e kam marrë një porosi qysh në fillim të mandatit nga kryetari i Kuvendit Veseli për ta bërë çdo qytet me stadium, prandaj po mundohemi që në kuadër të objektivave të Ministrisë së Kulturës të kemi investime të stadiumeve në çdo qytet. Prandaj, edhe kërkesat e tjera edhe iniciativat tjera që do të vijnë nga kryetari i Komunës ne fuqishëm do ti mbështesim", tha ministri.

Shembull të mirë dhe që duhet ndjekur edhe nga komunat e tjera e quajti kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. I cili tha se shpreson që nga Kaçaniku të vazhdohet edhe në qytetet e tjera ndërtimi i stadiumeve të tilla.

“Është një shembull i cili duhet të ndiqet edhe në komunat e tjera dhe unë shpresoj meqenëse mjaft çalojmë në infrastrukturën sportive anë e mbanë Kosovës dhe shpresoj që këtu nga Kaçaniku të vazhdojmë edhe në komunat e tjera”, tha Vokrri.

Ndërsa, kryetari aktual i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, i cili më 19 nëntor do të përballet në balotazh me Basri Kodrën e Vetëvendosjes tha se ndërtimi i këtij stadiumi u bë fal ndihmës nga niveli qendror.

“Falë punës dhe përkrahjes që e kemi pasur nga niveli qendror, konkretisht nga Qeveria, respektivisht edhe nga ministri i Kulturës, ne sot kemi arritur ta përmbyllim një projekt apo fazën e parë të projektit të stadiumit që mban emrin e dëshmorit ‘Besnik Begunca’. Një stadium të cilin sot po e përurojmë koston e së cilës ka pasur diku 300 e 23 mijë euro në bashkëfinancim me komunën e Kaçanikut”, tha Ilazi.

Ndërtimi i stadiumit të qytetit të Kaçanikut “Besnik Begunca” është bërë në financim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Komuna e Kaçanikut.