Sport

Celina nuk do të kthehet në janar te Manchester City

Descriptive Text

Sulmuesi i krahut, Bersant Celina, nuk do të kthehet gjatë muajit janar te skuadra e Manchester Cityt.

Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës ka deklaruar se është i lumtur tek Ipswich Town, që garon në "Championship" të Anglisë (kategoria e dytë). 21-vjeçari te Ipwich Towni është huazuar nga Manchester City. Në "Championship", këtë edicion në 11 paraqitje ka shënuar pesë gola, përcjell Koha Ditore.

"Do të jem këtu për aq kohë sa të mundem. Unë jam i lumtur. Grupi i lojtarëve është shumë i mirë dhe ndiej kënaqësi të luaj këtu. Janë të mahnitshëm, të gjithë miq të mirë që luajnë për ekipin dhe kjo mund të jetë e pazakontë në futboll", ka thënë Celina për "eadt.co.uk”.

Ai nuk pati shumë minutazhë në fillim të këtij edicioni. Por tash është stabilizuar dhe thotë se këtë e ka arritur me shumë punë.

"Kam qenë i frustruar sepse gjithmonë dëshiroj të luaj futboll. Kjo është ajo që dua të bëj. Të luaj gjatë gjithë kohës. Unë i kam kuptuar arsyet e trajnerit pse nuk kam luajtur, por ndiej se tani po më beson dhe unë e vlerësoj këtë", ka theksuar Celina.

Ipwsich Town zë vendin e shtatë me 25 pikë. Celina është i bindur se në fund ekipi i Ipwsichit do të jetë në mesin e gjashtë ekipeve më të mira të "Championshipit", ku do të luftohet më pas për inkuadrim në Premier League.

"Dallimi i pikëve nga pozita e katërt deri në të shtatën nuk është i madh dhe nëse ne vazhdojmë të fitojmë, atëherë mund të jemi mes gjashtë të parave. Jemi në rrugë të mirë", është shprehur Celina.