Për stadiumin e Prishtinës duhen edhe 4 milionë euro shtesë

Për stadiumin e Prishtinës duhen edhe 4 milionë euro shtesë

06 nëntor 2017 19:38

Stadiumi i Prishtinës ka ngecur së rinovuari, pasi për përfundimin e impiantit në kryeqytet, duhen të paktën edhe 4 milionë euro të tjera shtesë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Federata e Futbollit të Kosovës, kanë shpresë të madhe që Kosova ta luajë ciklin eliminator të Kampionatit Evropian 2020, pikërisht në Prishtinë.

Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, thotë se stadiumin e ka gjetur në këtë gjendje, por shton se që në ditët e para ka vepruar në këtë projekt, duke bërë shpalljen për pjesën shtesë të projektit. Ai nënvizon se Ministria është në fund të procedurës administrative, dhe pjesa tjetër do t’i mbetet operatorit ta kryejë punën e vet ashtu siç kërkohet me kontratë, dhe është optimist se stadiumi do të jetë gati për muajin mars të vitit të ardhshëm.

E, nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, deklaroi se Komuna nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Ministrinë që pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, e ata të marrin përsipër punimet në stadiumin që është pronë e Komunës së Prishtinës.

Se është në të mirë të shtetit, futbollit e tifozërisë së Kosovës dhe gjithë futbolldashësve, e konfirmoi në Sportin Total të dielën mbrëma edhe Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Stadiumi i Prishtinës është në rinovim e sipër, por punimet kanë ngecur, ani pse u premtua se për këtë vit do të jetë i gatshëm.

Tani, premtimi tjetër i përfundimit të punimeve mendohet të jetë marsi i vitit të ardhshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme