Përballja me Izraelin sfidë e vështirë, por jo mision i pamundur

Përballja me Izraelin sfidë e vështirë, por jo mision i pamundur

06 nëntor 2017 13:37

Përzgjedhësi i Kosovës U21, Rafet Prekazi është shprehur i vetëdijshëm për sfidën e vështirë me Izraelin, por ai beson se të përzgjedhurit e tij mund ta fitojnë edhe sfidën e radhës.

Kosova dhe Izraeli do të përballen më 9 nëntor në “Adem Jashari” në kuadër të kualifikuesve për Evropianin 2019.

Tekniku i përfaqësueses sonë, në konferencën e parë para duelit me izraelitët, tha se djemtë e përfaqësues sonë, do të japin maksimumin në mënyrë që të vazhdohet seria pozitive e skuadrës sonë në kualifikimet e këtij evropian, e para e këtij lloji për Kosovën. Prekazi thotë se Kosova është skuadër e re, por ai është i bindur se futbollistët e tij do të tregojnë shpirt luftarak në duel me Izraelin, raporton KosovaPress.

“Dihet se kjo përfaqësuese ka treguar lojëra të cilat nuk munden askush nga me i kritiku. Pres që në të ardhmen këta lojtarë të japin edhe më tepër. Sa i përket Izraelit duhet realisht t’i shohim gjerat, Kosova është e re, ndoshta gjitha përfaqësueset janë më të mira së Kosova, por ato janë në letër, presim në fushë këta djem duhet të tregojnë, ashtu siç e dimë gjithë diferenca mes përfaqësuesve dita-ditës po zvogëlohet, ne jemi në atë pozite. Është në ekip që kushtojnë miliona, mirëpo, ne do të japim maksimumin që ky dallim të jetë sa më i vogël. Një është e rëndësishme e kam thënë para fillimit të kualifikimeve, pa marrë parasysh për kundërshtarin shpirti luftarak i këtyre djemve atë diferencë do ta bëjnë në minimum. Edhe unë si çdo trajnerë e mendoj më të mirën pa marrë parasysh se kush është kundërshtar, kuptohet respekt për të gjithët, sepse jemi të vetëdijshëm për kualitetin e kundërshtarit”, ka thënë Prekazi.

Ai ka shtuar se bashkë stafin e tij, i kanë analizuar ndeshjet e Izraelit, por sipas Prekazit, një analizë me profesionale do të bëhet bashkë me gjithë lojtarët për të gjetur mënyrën sesi t’i kundërvihen kundërshtarit.

“I kemi studiuar gjitha lojërat, mirëpo, gjatë ditës së sotme grumbullohen lojtarët, bashkërisht më ta bëjmë analizën dhe si t’i kundërvihemi atyre. Ne si staf i kemi analizuar, por pa lojtarë ajo nuk ia vlen. Sot kemi grumbullimin me lojtarë, kemi stërvitje dhe kur mblidhen gjithë lojtarët, atëherë e bëjmë analizën profesionale se si duhet t’i kundërvihemi kundërshtarit”, theksoi Prekazi.

Ndërkohë, kapiteni i përfaqësueses sonë, Rron Broja, e pranon se sfida me Izraelin do të jetë ndeshje e vështirë, por sipas tij, nuk është mision i pamundur. Ai thotë se bazuar në paraqitjet e mira të Kosovës në takimet e kaluar, mund të fitohet edhe ndeshja e radhës, shkruan KosovaPress.

“Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, mirëpo, mendoj se do të kemi kohë të përgatitemi që të futemi sa më mirë në këtë ndeshje dhe shpresoj se do të arrijmë fitore, edhe pse do të jetë shumë vështirë. Mirëpo, mendoj se me ndeshjet që i kemi zhvilluar besoj se edhe mundur Izraelit mund të arrijmë fitore”, ka pohuar Broja.

Ai ka shtuar se harmonia në taborin e përfaqësueses sonë, është mjaft e mirë, madje, sipas tij, në çdo grumbullim harmonia në skuadër po rritet.

Përfaqësuesja e Kosovës sot pasdite mban stërvitjen e parë, derisa edhe nesër dhe pasnesër do të zhvillohen nga një stërvitje në mënyrë që skuadra të jetë sa më e gatshme për ndeshjen me Izraelin.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme