Sport

Fellaini padit kompaninë sportive për shkak të këpucëve të futbollit

Mesfushori i Manchester Unitedit, Marouane Fellaini, është duke e paditur kompaninë e pajisjeve sportive “New Balance” për 2.1 milionë funte (2.36 milionë euro), pasi thotë se këpucët e futbollit të kësaj kompanie i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shputa.

Reprezentuesi i Belgjikës kishte firmosur kontratë katërvjeçare me gjigantin e mbathjeve sportive në vitin 2012, por e ka dërguar kompaninë në gjyq pas dhembjeve që këpucët e futbollit i kanë shkaktuar shputave të tij, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.

Ai tash është larguar nga marrëveshja e vlefshme 600 mijë funte në vit (mbi 675 mijë euro), duke kaluar te Nike para stinorit të kaluar dhe është paraqitur në Gjykatën e Lartë të Londrës për të kërkuar dëmshpërblim.

Mesfushori 29-vjeçar është ankuar se këpucët ishin të kualitetit të dobët dhe duhej të intervenohej nga stafi i veshjeve para se ai të ishte në gjendje të luante me to.

Madje Fellaini ka thënë se shputat e tij kanë pësuar dëme të konsiderueshme kur ka mbajtur këpucën dhe se ia ka shfaqur vazhdimisht frustrimin prodhuesit.

Stafi ligjor i Fellainit, po ashtu, po padit edhe për neglizhencë dhe ndikim në performancë, për shkak të dëmeve që këpucët ia kanë shkaktuar futbollistit.

Në reagim, prodhuesi i këpucëve në gjykatë ka thënë se Fellaini dikur i kishte përshkruar këto këpucë futbolli si perfekte dhe kishte porositur 12 palë të tjera.