Sport

Sadiku e vendosur të garojë në botërorin e Indisë

Boksierja Donjeta Sadiku është e bindur se do t'i lejohet pjesëmarrja në kampionatin botëror për të reja që mbahet nga 19 deri më 26 nëntor në Indi.

Për t'u paraqitur në këtë kampionat, Sadikut i duhet leje për të hyrë në shtetin e Indisë. India nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe Sadiku ka bërë kërkesë që t'i rregullohet pasaporta e Shqipërisë për të pasur mundësi që të marrë pjesë në botëror, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Besoj se do të jemi pjesëmarrës, sepse kemi bërë përgatitje dhe nuk do të dëshiroja të na shkonin dëm gjithë këto përgatitje. Nuk dua të mendoj se nuk do të shkoj në këtë kampionat. Unë pres të kthehem me medalje nga India”, ka thënë Sadiku.

Trajneri i saj, Besim Brahimi, ka theksuar se institucionet sportive të Kosovës kanë bërë kërkesa të ndryshme që përmes një lejeje speciale t'i lejohet hyrja delegacionit kosovar në Indi. Ai ka theksuar se kanë kërkuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që t'i kërkojë presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, të japë pasaporta për Sadikun dhe pjesën tjetër të delegacionit të Kosovës.

“Ka gjasa që edhe me leje speciale të udhëtojmë drejtë Indisë, por për të mos ia lënë rastit ne shpresojmë ta kemi pasaportën e Shqipërisë”, ka thënë Brahimi.