“Dardanët” kërcënojnë me bojkot nëse Kosova s’ka stadium deri në muajin mars

“Dardanët” kërcënojnë me bojkot nëse Kosova s’ka stadium deri në muajin mars

05 nëntor 2017 22:53

Lideri i tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka deklaruar se ky grupim do të bojkotojë ndeshjet e ekipit përfaqësues në të gjitha sportet nëse Kosova nuk do të luajë ndeshjet ndërkombëtare si vendas në stadiumet në Kosovë.

Berisha ka thënë se “Dardanët” fillimisht duan rregullimin e stadiumit të kryeqytetit e më pas të kthehet fokusi te stadiumi kombëtar.

Duke folur për ndërtimin e stadiumit kombëtar, të cilit i është ndërruar lokacioni nga Bërnica e Prishtinës duke e planifikuar ndërtimin e tij në afërsi të Drenasit, Berisha ka thënë se “Dardanët” duan ndërtimin e këtij stadiumi afër kryeqytetit, por pavarësisht lokacionit ata e duan stadiumin sa më shpejtë që të jetë e mundshme.

“Stadiumi nacional duhet të jetë afër kryeqytetit. Ne nuk kemi asgjë kundër Drenicës. Kemi tifozë të tyre pjesë të “Dardanëve”. Ne jemi kundër rinisjeve të procedurave sado herë që ndërrohet qeveria. Në muajin mars do ta bojkotojmë Kosovën nëse s’kemi stadium. Kosova do të luajë pa tifozë”, ka thënë ai për Sporti Total në KTV.

Eroll Salihu nga FFK-ja në anën tjetër për mospërkrahje nga politika ndaj sportit ka kritikuar edhe qeverisjen lokale. Ai ka thënë se vet FFK-ja ka kërkuar nga Prishtina një lokacion për këtë federatë, por kjo nuk i është plotësuar kurrë.

“Komuna e Prishtinës është komuna që më së paku ka punuar në këtë aspekt”, ka thënë ai sa i përket rregullimit të stadiumit të kryeqytetit.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka shtruar pyetjen përse të tërhiqet stadiumi nga plani për konstruktim në Bërnicë dhe të kalojë në Drenas.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme