Ramadani i lumtur për ftesën nga kombëtarja shqiptare, synon të jetë titullar

Ramadani i lumtur për ftesën nga kombëtarja shqiptare, synon të jetë titullar

03 nëntor 2017 22:16

Ylber Ramadani mesfushori i Veljes në ligën e dytë të futbollit danez ishte një nga risitë e listës së të grumbulluarve nga trajneri Christian Panucci për miqësoren që kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ndaj Turqisë në Antalia.

21-vjeçari nga Ferizaj i cili aktualisht është pjesë edhe e kombëtares Shpresa, në një intervistë në Supersport nuk e ka fshehur lumturinë që është bërë pjesë e përfaqësues A, duke nënvizuar se një të ardhme të afërt shpreson që të jetë një titullar në skuadrën e Panuccit.

“Ishte një gëzim shumë i madh për mua, sepse e kam menduar që fëmijë. Jam shumë i lumtur që ëndrra ime u bë realitet. Mendoj se konkurrenca është e vështirë, por unë gjithmonë do të mundohem të bëj punën time më së miri. Me punë dhe sakrificë do ia dal. Në skuadër ka shumë lojtarë cilësorë, por unë do vazhdoj hap pas hapi, pse jo të luaj një ditë nga minuta e parë”, ka thënë ai.

Te Velje që drejtohet nga ish-trajneri i Partizanit Adolfo Sormani, Ramadani në vetëm pak kohë ka marrë çelësat e mesfushës në dorë dhe është shndërruar në një nga lojtarët më të mirë të ekipit. Ish lojtari i të “Kuqëve” thekson se e ka merituar ftesën për miqësoren ndaj Turqisë falë formës që ka shfaqur gjatë kësaj periudhe.

“Te Partizani kam qenë në formën time më të mirë, por edhe këtu në Danimarkë kam luajtur disa ndeshje të mira. Mendoj se kjo është edhe arsyeja e ftesës. Kam punuar shumë për të arritur këtë moment”, është shprehur Ramadani.

Ramadani fillimisht do të luajë në datën 10 nëntor sfidën kualifikuese ndaj Irlandës së Veriut me përfaqësuesen Shpresa për t’iu bashkuar më pas kombëtares së madhe për duelin ndaj Turqisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme