Sport

Daja thotë se Skënderbeu meritoi një pikë në Beograd

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja në përfundim të sfidës theksoi se ekipi i tij zhvilloi një ndeshje deri diku të mirë dhe meritonte të merrte një pikë përballë Partizanit të Beogradit.

Skënderbeu pësoi 2 me 0 në udhëtim te Partizani i Beogradit në Ligën e Evropës.

“Duhet të ishim më agresivë në 1/3 e sulmit. Mendoj se ishte një ndeshje krejtësisht e barabartë, ne kemi pasur shanset tona, u ndëshkuam nga një gol me një goditje standarde ndërsa sërish kur ishim pranë barazimit në momentin më të mirë tonin pësuam edhe golin e dytë nga një gabim i yni”, është shprehur Daja për Supersport.

Sipas tij Skënderbeu nuk bëri shumë për ta fituar ndeshjen por në të njëjtën kohë nëse do barazonte në Beograd nuk do vidhte asgjë.

“ Edhe kundërshtari nuk na kërcënoi me aksione dinamike, sfidën e vendosën episodet dhe mund të kishim marrë edhe një barazim. Me atë që shfaqëm në fushë nuk meritonim të fitonim por as ta humbisnim sfidën”, thotë Daja.

Edhe pse i vuri një notë kaluese mirëpritjes së serbëve fakti që kishte shumë policë në stadium dhe në ambientet jashtë tij nuk i pëlqeu aspak trajnerit të korçarëve.

“Kishte shumë policë dhe ambienti nuk ishte shumë i pranueshëm për futboll, por le të themi që gjërat shkuan mirë dhe në një farë mënyre nuk patëm probleme këtu në Beograd”, thotë ai.