Sport

Skënderbeu në Beograd, serbët parulla për Kosovën

Sonte në Beograd korçarët e Skënderbeut do të përballen me Partizanin e Beogradit. Ndeshja e parë në Elbasan përfundoi në barazim dhe pa incidente në fushë.

UEFA megjithatë dënoi ekipin shqiptar për thirrjet e hedhura nga tifozët në stadium. Por duket se problemet me tifozët ka edhe në Beograd. Tifozët e Partizanit të Beogradit kanë mbushur stadiumin në parulla për Kosovën.

Sidoqoftë sot në mbrëmje në kryeqendrën e Serbisë nuk do të mungojnë tensionet ashtu siç tregojnë edhe parullat sporadike. apo nacionalizmi i grupimit famëkeq të tifozëve vendas, Grobari.

“Në stadiumin e Partizanit të Beogradit, atmosfera që krijohet është gjithmonë fantastike. Përsa i përket gjërave jashtë fushës, askush nuk kërkon probleme, por asnjë s’mund ta dijë se çfarë mund të ndodhë”, u shprehë një tifoz serb.

“Shpresoj të jetë një ndeshje fair play dhe të fitojë Partizani i Beogradit. Në lidhje me vendimin për të mos lënë tifozë të skuadrave kundërshtare në ndeshjet që luajnë Partizani dhe Skënderbeu, mendoj se është më mirë kështu”, thotë një tjetër tifoz.

Mediat serbe ndërkohë kanë paralajmëruar prezencën e rreth 2 mijë shqiptarëve nga Presheva, Bujanovci dhe Nishi, pavarësisht se është e ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të ekipit mik.