Kualifikohet City, Napoli rrezikon të eliminohet Foto: Reuters

Kualifikohet City, Napoli rrezikon të eliminohet

01 nëntor 2017 22:34

Manchester City ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve, duke e mposhtur në udhëtim Napolin.

Skuadra e Pep Guardiolas mbajti bilancin e 100 për qind në Grupin F, duke fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani, dhe është lider me 12 pikë.

Rezultati përfundimtar i këtij takimi ishte 2 me 3, raporton Koha.net.

Napoli krijoi epërsinë e parë përmes Insignes, i cili shënoi pas një aksioni fantastik me Mertensin kur po zhvillohej minuta e 21. Shifrat i barazoi Otamendi në minutën e 34 për të shkuar në pushimin e pjesëlojëve me rezultat të barabartë 1-1.

Tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë City kaloi në epërsi përmes mbrojtësit anglez Stones, që shënoi pas asistimit nga Sane.

Vendasit arritën të barazojnë shifrat përmes Jorginhos, i cili shënoi në minutën e 62 nga pika e bardhë.

Por, shtatë minuta më vonë City e riktheu epërsinë përmes sulmuesit argjentinas, Aguero.

Pas kësaj fitore City është lider me 12 pikë, kurse vendin e dytë e mban Shakhtari me 9 pikë, që sonte e mposhti Feyenoordin me rezultat 3 me 1. Kurse Napoli mban vendin e tretë me vetëm 3 pikë, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar në fazën e grupeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme