Sport

Këtë fundjavë turneu ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari”

Ngjarja kryesore në boks, turneu ndërkombëtar “Adem Jashari”, do të mbahet këtë fundjavë.

Kryeqyteti i Kosovës për dy ditë rresht do të jetë nikoqire i boksierëve nga rreth dhjetë shtete nga rajoni dhe Evropa të cilët do të nderojnë Komandantin Legjendar Adem Jasharin. Risi e këtij turneu është pjesëmarrja e parë e Rumanisë.

Drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës (FBoxK), të martën në një takim me media, kanë bërë më dije se organizmi i këtij turneu por shkon mirë, por sipas tyre, mjetet financiare, mbeten brenga e FBoxK-së.

Sekretari i FBoxK-së, Mehmet Bogujevci tha se 10-12 deri shtete do të jenë pjesë e këtij turneu, derisa tashmë shtatë shtete e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë eveniment sportiv. Bogujevci theksoi se shqetësuese mbesin mjetet financiare, por ai shpreson se Ministria e Sportit si dhe Kryeministria do t’i përgjigjen pozitivisht, pasi që ky turne nga viti 2005 mbahet nën patronatin e kryeministrisë së Kosovës, raporton KosovaPress.

Bogujevci: 10-12 shtete pjesë të turneut “Adem Jashari”, mjetet financiare brenga e FBoxK-së

“Siç e dini edhe ju Federata e Boksit për herë organizon turneun ‘Adem Jashari’. Këtë vit siç do vit tjetër jemi përgatitur, po e shini më kupa, medalje. Deri më tani janë paraqitur disa shtete presim Poloninë, Çekin, Sllovakinë, Slloveninë dhe Kroacinë që t’i dërgojnë emrat e garuesve, kanë premtuar së do të vijnë, kurse, Maqedonia,Bullgaria, Mali i Zi, Shqipëria i kanë paraqitur boksierët, pra do të jenë 10-12 shtete pjesëmarrëse. Por siç e dini ketë vit kemi problemin pasi që ishim pa qeveri një kohë, kemi pasur dhe kemi premtime edhe nga ministri edhe nga kryeministri, por deri më tani nuk kemi marrë asgjë, por besoj se do të kemi mbështetje nga institucionet tona siç kemi pasur deri tash, kjo është ajo që jemi më së shumti të brengosur, pra nga ana financiare, dhe nuk kemi guxuar të zgjerohemi të bëjmë shpenzime të mëdha, sepse po mbesim në borxhe”, ka thënë Bogujevci.

Ndërkaq, gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli, tha se barrën kryesore në ndarjen e drejtësisë do ta bartin gjyqtarët e Kosovës. Ai bëri të ditur se risi e këtij turneu, është pjesëmarrja për herë të parë në këtë turne e Rumanisë.

“Ne jemi të gatshëm për turneun e 19-të ‘Adem Jashari’. Besoj se edhe këtë vit do të kemi një boks cilësorë për arsye se sipas emrave të njoftuar nga Bullgaria, Maqedonia, Kroacia, Shqipëria, janë disa boksier cilësorë. Për herë të parë do të marrë pjesë Rumania në turneun ‘Adem Jashari’. Sa i përket gjyqtarëve barrën kryesore do ta bartin referët vendor, nga jashtë do të jenë një nga Rumania dhe një nga Bullgaria, do të kemi dy referë të huaj dhe një nga Shqipëria, të tjerët do të jenë nga Kosova. Lë të fitojë më i miri dhe besoj se deri tani gjithçka ka shkuar në rregull dhe boksi do të jetë numër”, ka theksuar Demolli.

Ndërkohë, Kreshnik Shala, trajner i përfaqësueses së Kosovës, shprehet i bindur se boksierët tonë do të kenë paraqitje dinjitoze në turneun “Adem Jashari”. Sipas tij, Kosova në këtë turne do të paraqitet me tetë boksierë. Shala tha se të gjithë boksierët e përfaqësues sonë janë në formë të mirë dhe të gatshëm për sfidat e këtij turneu.

Shala: Boksierët e Kosovës do të kenë paraqitje dinjitoze

“Gjithsej janë tetë boksierë që do të paraqiten për Kosovën. Ne bashkë me elektorin jemi duke e bërë një monitorim të gjendje fizike të boksierëve të cilët po duken se kanë punuar mjaft shumë, i kanë dhënë rëndësi këtij turneu të madh dhe përgatitja e tyre fizike po duket e mirë dhe të shpresoj se do të kemi paraqitje sa më të mirë si në vitet e kaluara, ku Kosova gjithnjë përgatitet mirë për ketë turne, ku e kemi marrë seriozisht. Edhe kësaj herë po duket se trajnerët e kanë kryer punën e vetë. Atmosfera është shumë e mirë dhe besojmë për paraqitje sa më të mirë nga Kosova”, ka pohuar Shala.

Organizatorët e këtij turneu sikurse edhe viteve të kaluara, për më të mirët do të ndajnë medalje dhe kupa.

Turneu ndërkombëtar “Adem Jashari” nis të shtunën në Prishtinë me meçet e gjysmëfinaleve që nisin në orën 16:00, kurse, duelet finale zhvillohen të dielën në mesdite.