Sport

Messi i gjakosur, ISIS kërcënon Botërorin e Rusisë

Shteti Islamik ka kërcënuar sërish, e këtë herë gishti nuk është drejtuar nga qeveritë e vendeve që po luftojnë militantët e tij, por nga Botërori “Rusi 2018” që do të zhvillohet verën e ardhshme, duke nisur nga 14 qershori.

Përmes një prej organeve mediatike të propagandës së tij, “Wafa Media Foundation”, ISIS ka publikuar në rrjet një fotomontazh të Lionel Messit që derdh lot gjaku pas hekurave.

Nuk mjafton vetëm kjo, pasi përbri fytyrës së gjakosur të sulmuesit të Barcelonës dhe kombëtares argjentinase të futbollit, ka edhe një mesazh të shkruar në anglisht: Ju po luftoni një shtet, i cili nuk e njeh fjalën ‘dështim’ në fjalorin e tij, transmeton kp.

Ky nuk është kërcënimi i parë i këtij lloji. Në “Telegram”, aplikacionin e mesazheve të përdorur shpesh nga militantët xhihadistë të Shtetit Islamik, qarkullon prej kohësh një imazh i një luftëtari të ISIS, të armatosur me kallashnikov dhe me një bombë gati për të shpërthyer, ndërkohë që në sfod shihet qartësisht profili i “Volgograd Arena”, njëri prej stadiumeve që do të presë fazën finale të Botërorit të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, përtej dhënies së lajmit për një logo të “Rusi 2018” që po qarkullon në rrjete sociale me një xhihadist të armatosur dhe fjalët “Na prisni!” në arabisht, britanikja “the Sun” shkruan edhe për një poster të dytë propagandistik të një terroristi të armatosur që mbikëqyr “Luzhniki Stadium” të Moskës, aty ku më 15 korrik të vitit të ardhshëm do të luhet edhe finalja e Botërorit.

Image