Sport

FFK vendos në favor të Vëllaznimit pas sulmit nga tifozët e Flamurtarit

Komisioni i Garave në Superligën e Kosovës në futboll ka vendosur që Vëllaznimi të fitojë në tavolinë ndeshjen e ndërprerë ndaj Flamurtarit në xhiron e 11-të.

Disa tifozë të Flamurtarit kishin hyrë në fushën e “Xhemail Ibishit” për të sulmuar gjakovarët të premten në kuadër të xhiros së 11-të në Superligë, menjëherë pasi mysafirët barazuan rezultatin në fund të ndeshjes.

Tani FFK ka vendosur që kjo ndeshje të regjistrohet 3 me 0 në favor të Vëllaznimit.

Ky është arsyetimi i FFK-së:

Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF Flamurtari – KF Vëllaznimi e vlefshme për javën e 11-të të Vala Superligës së Kosovës, konstatoi se ndeshja është ndërprerë në kohën shtesë 90+ për shkak se në momentin e barazimit të rezultatit të ndeshjes në fillim një shikues ka hyrë në fushë dhe ka goditur lojtarët e KF Vëllaznimi me shkop, pastaj kanë hyrë edhe disa shikues të tjerë dhe është krijuar një rrëmujë para portës së Vëllaznimit dhe gjyqtari e ka ndërprerë ndeshjen për shkak të situatës së krijuar, andaj Komisioni i Garave konform nenit 51, paragrafi 1 të Rregullores Disiplinore e regjistron ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të KF Vëllaznimi.

Flamurtari u dënua edhe me katër ndeshje mos zhvillim si vendas.

FFK ka dënuar edhe futbollistët Erbet Hotaj të Flamurtarit me tri ndeshje mos lojë për shkak të goditjes së kundërshtarit, Ervin Hallunajn e Flamurtarit me dy ndeshje mos lojë për përfshirje në tollovi dhe Samir Sahitin e Vëllaznimit me katër ndeshje mos lojë për shkelmim të kundërshtarit.

Ky është njoftimi i FFK-së për këtë rast:

KF “ FLAMURTARI “ nga Prishtina në procedurë të iniciuar disiplinore nga ana e Komisionit të Garave për lëshime të rënda në organizimin e ndeshjes motivi; hyrje e spektatorëve në fushë dhe sulmi i lojtarëve mysafir në minutat shtesë të lojës 90 + 2, prej nga pëson lojtari me numër 6 i klubit të futbollit “ Vëllaznimi“ i cili goditet me shufer prapa në shpinë ku si rrjedhojë e kësaj sjellje dhe hyrjes së publikut në terren erdhi deri të ndërprerja e ndeshjes së javës së ; XI-të të Vala Superligës së Kosovës në futboll për kategorinë e seniorëve; FLAMURTARI – VËLLAZNIMI e zhvilluar në stadiumin “ Xhemail Ibishi “ në Prishtinë ( raportet zyrtare nga ndeshja e ndërprerë si dhe incizimet e treguara – paraqitura televizive; )

DENOHET

Me 4 (katër) ndeshje mos zhvillim në fushën e vetë sipas radhës në cilësi të nikoqirit, në bazë të Rregullores Disiplinore neni 51 paragrafi 1 pika 5.