KOK-u ndan Bursa Olimpike për 19 sportistë, premtojnë medalje nga ‘Tokio 2020’.

KOK-u ndan Bursa Olimpike për 19 sportistë, premtojnë medalje nga ‘Tokio 2020’.

23 tetor 2017 15:48

19 sportistët më të mirë që aktualisht ka Kosova, sot janë bërë me Bursa Olimpike.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në një ceremoni solemne ka nënshkruar kontrata për Bursa Olimpike “Tokio 2020” për 19 sportistët më të mirë të Kosovës.

Në këtë eveniment e pranishme ishte edhe kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila i prinë listës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, trajnerë dhe drejtues të federatave të shumta sportive.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani tha se ka zgjedhur ditën e sotëm për këtë ceremoni sportive që përkon me trevjetorin e pranimit të përkohshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Sipas tij, pranimi i KOK-ut në KON i hap rrugën pranimit të federatave tjera sportive në federatat përkatëse në Evropiane e Botërore si dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Evropiane dhe Olimpiadën e Rios. Hasnai theksoi se medaljet e fituar në Baku dhe Rio e ngritën imazhin e Kosovës, raporton KosovaPress.

“Kemi zgjedhur ditën e sotme për këtë manifestim të rëndësishëm, sepse përputhet me trevjetorin e përhoshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtare mundësoi njohjen e të gjitha federatave të panjohura deri atëherë dhe pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike. Vendimi i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar padyshim se ishte historik jo vetëm për ne, por edhe për vet lëvizjen ndërkombëtare, por ajo që na bën krenar është Kosova mirënjohëse ua ktheu më të mirë komunitetit sportiv botëror më sjellje të mira, madje edhe në Lojërat Olimpike Evropiane, ku Nora Gjakova u stolis më medalje, ndërsa në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, Kosova u stolis me medalje të artë falë heroinës sonë Majlinda Kelmendit. Medalja e bronzte e Nora Gjakovës në Baku dhe medalja e artë e Majlinda Kelmendit në Rio, me trajnerin e tyre të përmasave botëror, Driton Kukën e ngritën imazhin e Kosovës në piedestalin më të lartë botëror. Faleminderit Driton, Majlinda, Nora, faleminderit u them edhe sportistëve të tjerë dhe trajnerëve të tyre, fitues të shumë medalje nga kampionatet botërore e evropiane dhe në garat tjera të niveleve prestigjioze”, ka thënë Hasani.

I pari i KOK-ut tha se falë kritereve të përcaktuar nga solidariteti i KON-it e bazuar nga përvojat e mira nga Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, Bordi i KOK-ut ka përzgjedhur 19 sportistët më të mirë të vendit të jenë fitues të Bursave Olimpike. Hasani thotë se KOK-u ndan rreth 300 mijë euro për Bursa Olimpike.

“Falë kritereve të përcaktuar nga solidariteti i KON-it, bazuar nga përvojat e mira nga Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’ dhe eksperienca të Komitetet Olimpike Kombëtare, Bordi Ekzekutiv i Komiteti Olimpik të Kosovës, më një përkushtim të skajshëm ka përzgjedhur 19 sportistët më të mirë që i ka Kosova për të qenë përfitues të Bursa olimpike ‘Tokio 2020’. Këta 19 sportistë u takojnë tetë sporteve olimpike individuale dhe nëntë prej tyre janë të gjinisë femërore. 7900 dollarë amerikan ndahen për çdo muaj për 36 muajt në vijim që në total kalon shumë 255 e 600 mijë dollarë amerikan. Nëse kësaj shumë i shtohen edhe bursat për Lojërat Olimpike Dimërore në Piynk Qan 2018, atëherë del se falë mjeteve nga Solidariteti Olimpik i Kon, por edh mjeteve tjera të gjeneruara nga partnerët publik e privat, KOK-u për bursa olimpik ndan rreth 300 mijë dollarë”, ka theksuar Hasani.

E Ministri i Kulturës, Rinis dhe Sportit të Kosovës (MKRS), Kujtim Gashi, tha se këto bursa do të ndikojnë jashtëzakonisht në ngritjen e performnacës së sportistëve që përfituan Bursa Olimpike. Ai u zotua se Ministria e Sportit do të jetë në mbështetje të sportistëve të cilët do të arrijnë suksese.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po organizohet ceremonia e nënshkrimit më 19 sportistë më të mirë të Kosovës të cilëve u prin Majlinda Kelmendi, fitues e medaljes olimpik nga Olimpiada e Rios. Padyshim se kjo mbështetje e drejtpërdrejt për këta sportistë do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në rritjen e performancës së tyre në drejtim të arritjes së normës olimpike që do të ju mundësonte pjesëmarrjen e sigurt në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Jam sot këtu me ju në këtë ceremoni solemne për të treguar përkushtimin tim si ministër dhe për të garantuar mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinis dhe Sportit për Komuniteti Olimpik të Kosovës. Jam këtu për tu zotuar për mbështetjen e sportistëve që arrin rezultatet, por edhe për të treguar së në këtë do ta kemi prioritet të veçantë për mbështetjen e sportistëve të dalluar të cilët janë ambasadorët dhe përfaqësuesit më të mirë të shtetit të Kosovës”, theksoi Ministri Gashi.

Ndërkaq, trajneri xhudos, Driton Kuka, shprehet i bindur se sportistët që përfituan bursa do të arrijnë suksese në tapetet ndërkombëtare me theks të veçantë në Olimpiadën e ardhshme ‘Tokio 2020’.

“Ky konfiguracion i sportistëve po me jep shpresë, të them të drejtën ata bursistat e Rios mu kanë dukur më të ligsht, këta po më duken pak më serioz, dhe po besoj se do të arrijnë norma olimpike, të paktën në tri sporte që do të jenë vlerë dhe e di se katërvjeçarin e kaluar, sporti i Kosovës ka shumë medalje, shumë medalje nga kampionatet evropiane e botërore, dhe në fund u kurorëzua me medalje olimpike. Në emër të trajnerëve zotohem se do të punojmë seriozisht, që do të fitojmë olimpike dhe patjetër që nga Tokio do të kthehem me medalje olimpike”, ka pohuar Kuka.

Medalje në katërvjeçarin e ardhshëm, ka premtuar edhe karateisti i njohur i vendit tonë, Herolind Nishevci.

“Unë si çdo sportist jam i lumtur për këtë burse, është një motivim shumë i madh për ne që edhe në katër vjetarin e ardhshëm do të sjellim edhe shumë medalje. Për këtë gjë dua të falënderoi Komitetin Olimpik dhe shpresoj se do të sjellim sa më shumë medalje Kosovës”, tha Nishevci.

E krenaria e sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendi beson se Kosova do të ketë një ekip shumë më të fortë në ‘Tokio 2020’. Ajo është e bindur se sportistët që përfituan bursa nga KOK-u do të arrijnë normat olimpik për Olimpiadën e ardhshme.

“Unë vetëm dua të falënderoi Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komitetin Olimpik ndërkombëtar, në emër të sportistëve për këtë burse, e cila sigurisht se i ndihmon mjaft sportistët që të përgatiten për Lojërat Olimpike. Unë shpresoj shumë që shumica nga ne që jemi këtu ta fitojnë normën olimpike dhe te kemi një ekip më të madh shumë më serioz sesa që kemi pasur në Rio 2016”, theksoi Kelmendi.

Xhudistja pejane beson se sportistët e Kosovës në katërvjeçarin e ardhshëm do të arrijnë suksese edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme