Sport

Barcelona i ofron Messit kontratë të përjetshme

Barcelona do t’i ofrojë Lionel Messit një kontratë të përjetshme me klubin, ka thënë CEO i klubit, Oscar Grau, të shtunën.

Messi, 30 vjeç, është pajtuar për një kontratë katër vjeçare me Barcelonën në muajin korrik, ndonëse ende nuk e ka nënshkruar atë zyrtarisht, raporton Reuters.

Grau, duke folur në takimin e përgjithshëm të përvitshëm të klubit, ka thënë se sulmuesit argjentinas do t’i ofrohet një marrëveshje e ngjashme me atë të mesfushorit spanjoll të Barçës, Andres Iniesta, të cilën e nënshkroi këtë muaj.

“Messi nënshkroi një kontratë katër vjeçare në qershor, por klubi do t’i ofrojë atij një kontratë të përjetshme”, ka thënë Grau para anëtarëve të klubit, transmeton Koha.net.

“Ideja është që Messi, i cili është me klubin që kur ka qenë i vogël, të qëndrojë këtu përjetësisht, sepse ai veçse është ikonë. Pasi të përfundojë së luajturi, dëshirojmë që ai të mbetet i lidhur me klubin”.