Sport

Mourinho mohon afrimin me PSG-në

Menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, ka mohuar raportimet se është duke synuar një kalim te Paris Saint-Germaini në të ardhmen e afërt.

54-vjeçari ngjalli raportimet për të ardhmen e tij kur javën e kaluar bëri të ditur se Unitedi nuk do të jetë puna e tij e fundit, derisa shprehi lavde për PSG-në “speciale”.

I pyetur në lidhje me këto raportime, Mourinho në konferencën për media para ndeshjes me Benfican në Ligën e Kampionëve, ka mohuar se është afër të nënshkruajë kontratën e re me Unitedin.

“Mendoj se ju mediat angleze e dini përgjigjen për këtë”, ka thënë Mourinho. “Një ditë thoni se do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, me 1 miliard për sezon, ndërsa të nesërmen shkruani se po largohem drejt Paris Saint-Germainit.

“Asgjë nuk po ndodh. Nuk jam duke nënshkruar kontratën e re pesëvjeçare, nuk po largohem për Paris Saint-Germainin. Jam te Manchester Unitedi. Kam kontratë dhe kjo është e tëra. Nuk kam tjetër përgjigje”.