Sport

Qeveria e re mund “ta çojë” stadiumin në Drenas

Stadiumi nacional i premtuar tash e tre vjet nuk dihet se kur do të nisë të ndërtohet. Së fundi i është shtuar edhe një e panjohur stadiumit të emërtuar para kohës - "Dardania Arena".

Stadiumi mund të mos ndërtohet në Bërnicë të Poshtme, aty ku është vendosur nga Qeveria e shkuar e udhëhequr nga Isa Mustafa. Qeveria e re po shqyrton mundësinë që stadiumin ta ndërtojë në Drenas, shkruan sot Koha Ditore.

Ende nuk ka asgjë konkrete, por ministri i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një prononcim për gazetën nuk ka mohuar Drenasin si alternativë.

Ndryshe nga ai, paraardhësi i tij Kujtim Shala dhe Qeveria Mustafa, ishin të vendosur që stadiumi të ndërtohej në Bërnicë të Poshtme. Ata kishin vizituar këtë vend disa herë dhe kishin shpronësuar tokat e nevojshme për stadium. Çështjen e lokacionit e kishin quajtur të përfunduar.

Por, kështu nuk mendojnë edhe në Qeverinë e re.

"Jemi duke analizuar çështjen e lokacionit dhe së shpejti do të dalim me propozim se ku mund të jetë lokacioni më i përshtatshëm. Do të takohemi me përfaqësuesit e Federatës dhe do të dakordohemi për këtë projekt. (Drenasi v.j.) Është një nga lokacionet që e kemi si ide, por edhe Bërnica mbetet opsion. Ta shohim këto ditë ku mendojmë që është më e përshtatshme", ka thënë ministri Gashi....(më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.