Sport

Xhaka kritikohet ashpër

Mesfushori kosovar Granit Xhaka ka asistuar në golin e vetëm të Arsenalit, që pësoi disfatë të shtunën nga Watfordi me rezultatin 2:1.

Xhaka asistoi në golin e avantazhit për Arsenalin, por Watfordi shënoi dy gola për ta fituar takimin e javës së tetë të Premier Leagues së Anglisë, shkruan Koha Ditore.

Xhaka është kritikuar për humbjen e Arsenalit, e në veçanti për golin që vendosi fitoren për Watfordin i shënuar në minutën e 92-të. Mesfushori 25-vjeçar u kritikua pasi nuk e përcolli futbollistin Tom Cleverly, të cilit iu kthye topi në afërsi të pikës së 11-të metërshit.

"Xhaka zgjedh ta kapë hundën, kurse Cleverly shtyen topin drejt rrjetës, çfarë futbollisti shokues", ishte një prej shumë komenteve të tifozëve të Arsenalit. Xhaka në tetë ndeshje ka kontribuar me tri asistime.

Ndërkohë, humbje të shtunën ka pësuar edhe Xherdan Shaqiri. Skuadra ku ai aktivizohet, Stoke City ka pësuar disfatë të thellë nga Manchester City me rezultatin 7:2. Reprezentuesi i Zvicrës luajti gjatë gjithë këtij takimi.