Sport

Strakosha kishte studiuar penaltitë e Dybalas

Descriptive Text

Portieri shqiptar i Lazios, Thomas Strakosha ka zbuluar se kishte studiuar ekzekutimin e penaltive nga argjentinasi Paulo Dybala, të cilit mbrëmë i priti një të tillë në minutën e 94.

Strakosha mbrëmë ishte vendimtar në fitoren e Lazios, 1 me 2, ndaj Juventusit duke bërë edhe disa pritje të tjera të jashtëzakonshme gjatë takimit, por pritja e penaltisë ishte momenti kyç i derbit, transmeton Koha.net.

“Isha vërtet i mërzitur kur u akordua penaltia, sepse ishte minuta e 94 dhe Juve nuk e meritoi barazimin. Së bashku me stafin ne kishim studiuar penaltitë e Dybalas dhe e pamë se ai do të godiste në anën e djathtë. Gjithashtu kam folur edhe me babanë (ish-portieri i kombëtares shqiptare Foto Strakosha) dhe më në fund duhej të pritja një penalti”, është shprehur Strakosha, raporton Football Italia.

Ai e vlerëson si një nga pesë pritjet më të mira deri më tani në karrierën e tij.

“Në ato momente shumë gjëra më shkonin në mendje dhe Zoti më ndihmoi që ta prisja penaltinë. Kjo ishte një nga pesë pritjet më të mira në karrierë”, ka thënë Strakosha.