Bach shqetësohet për lëndimin e Kelmendit

Bach shqetësohet për lëndimin e Kelmendit

12 tetor 2017 14:29

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka shfaqur interesim për shëndetin e kampiones olimpike, xhudistes Majlinda Kelmendi, për lëndimin e të cilës nuk ishte në dijeni deri para takimit me drejtuesit e anëtarët e KOK-ut.

I pari i sportit në botë është interesuar për gjendjen shëndetësore të Kelmendit gjatë takimit me anëtarët e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, Shqipe Bajçinca – Brestovci Agron Kuka, si dhe zyrtaren e KOK-ut, Rejhan Halili.

Takimi ka ndodhur në Vilnius të Lituanisë, ku po mbahet “Forumi i Evropës për Avancimin e Grave në Rolet Udhëheqëse” dhe në të cilin po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e KOK-ut.

Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, ka treguar për bisedën me Bachun.

“Jam takuar edhe dy herë më parë me z.Bach dhe duke qenë edhe kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, u ndalë më shumë tek ne. Ai më pyeti për Majlinda Kelmendin, për të cilën nuk kishte qenë në dijeni për lëndimin dhe u befasua kur i tregova. Bach u shqetësua dhe u interesua duke më pyetur se ku është duke kryer rehabilitimin dhe nëse është në duar të sigurta”, tregon Kuka për faqen zyrtare të KOK-ut.

Presidenti i KON-it ishte ai që ia kishte dorëzuar medaljen e artë Majlindës në Lojërat Olimpike “RIO 2016”.

“Më porositi t’i bëjë të fala Majlindës dhe më tha se e ka përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”, shton më tej kryetari i FXHK-së.

Kelmendi u lëndua në botërorin e Budapestit, për çka u operua muajin e kaluar në Slloveni. Për rehabilitimin e saj në Slloveni, KOK-u e ka mbështetur me 4 mijë Euro.
 

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme