Sport

Panucci kërkon që sulmi të jetë më agresiv

Descriptive Text

Kombëtarja kuqezi duhet të jetë më agresive në sulm, ky është qëndrimi i trajnerit të Kombëtares shqiptare, Christian Panucci në konferencën për shtyp të mbajtur një ditë pas humbjes 0-1 ndaj Italisë në “Loro Boriçi”.

“Skuadra më ka dhënë ndjesinë që mund dhe dëshiron të guxojë dhe të provojë. Mund të shënonim ndaj Italisë. Kam marr shumë sinjale pozitive, por jam i keqardhur për rezultatin”, u shpreh Panucci, teksa theksoi se “në 20 metra e fundit duhet të jemi më agresivë”.

Por pavarësisht rezultatit, ndaj Italisë mbrëmë kuqezinjtë luajtën si të barabartë, këtë e konfirmon edhe Panucci teksa thotë se, “më thanë se bëmë një ndeshje kompetitive. Italia mund të na kishte shënuar tre gola, por edhe mund t’i kishim shënuar tre gola”, raporton tch.

“Unë i pranoj kritikat, por nuk shqetësohem shumë tani për ndryshimet në formacion”, tha Panucci, duke vlerësuar se ndeshjet e luajtura deri më tani i kanë dhënë mundësinë të eksperimentojë për të përgatitur ekipin për “Euro 2020”, duke shtuar më pas se, “deri në shtatorin e ardhshëm do të kemi kohë të mjaftueshme”.