Sport

Panucci i kënaqur me paraqitjen ndaj Italisë

Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, ka lavdëruar paraqitjen e skuadrës së tij në humbjen 1 me 0 nga Italia në xhiron e fundit të Grupit G në kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018”.

“Luajtëm me shumë kurajo dhe zhvilluam një ndeshje të jashtëzakonshme. Krijuam 3-4 situata goli, ndoshta edhe duke rrezikuar pak, por jemi munduar të përballemi si të barabartë me Italinë”, tha Panucci.

Italiani shprehi keqardhje për humbjen, që erdhi si pasojë e një gabimi, por nuk kishte asnjë dyshim mbi paraqitjen e skuadrës.

“Ne u ndëshkuam nga një gabim dhe në të tilla nivele, gabimet peshojnë shumë. Buffon bëri 3-4 pritje të mira dhe kjo i dha tre pikët Italisë", shtoi më tej ai.

Nga Grupi G, Spanja është kualifikuar direkt për Botëror ndërsa Italia do të luajë në fazën e “Play-Offit”.