Sport

Islanda bëhet shteti më i vogël që kualifikohet ndonjëherë në Botëror

Descriptive Text

Paraguai kishte një popullsi prej rreth 850,000 banorë kur u ftua në Botërorin e vitit 1930. Më 2005, Trinidad dhe Tobago u bë shteti më i vogël që u kualifikua ndonjëherë për turneun në fjalë me një popullsi prej pak më shumë se 1.2 milion banorë. E Islanda tashmë ka shkelur këto rekorde.

Islanda e mposhti Kosovën me rezultat 2-0 të hënën mbrëma si e para në grupin kualifikues të UEFA-s, dhe në këtë rrugë u bë shteti më i vogël që është kualifikuar ndonjëherë në një Botëror. Regjistrimi i fundit i popullsisë së Islandës ka numëruar 334,252 banorë, sipas Kombeve të Bashkuara, raporton “sbnation”.

Vështirë se ka ndonjë vend tjetër në botë që i merr stërvitjet futbollistike më seriozisht se Islanda. Vendi ka mbi 20,000 futbollistë të regjistruar, apo 5 për qind të popullatës islandeze. Një në 50 islandezë kanë licencë UEFA B apo më të lartë, që do të thotë se disa lojtarë nisin stërvitjet me trajnerë profesionistë si 5 vjeçarë, transmeton Koha.net.

Përkundër popullatës së vogël, Islanda pati përkrahje të pabesueshme nga fansat gjatë Evropianit 2016 dhe e prezantoi para botës duartrokitjen vikinge, të cilën lojtarët e bënë së bashku me dhjetëra mijëra përkrahës me t’u kthyer në Rejkjavik.

Edhe përkundër suksesit të saj, Islanda u vendos në Vazon 2 në shortin e UEFA-s për Kampionatin Botëror, dhe u vendos në një grup të vështirë me Kroacinë, Ukrainën dhe Turqinë. Por Islanda ia doli të siguronte rezultate perfekte në shtëpi dhe dy fitore në udhëtim, përfshi edhe fitoren dramatike 3-0 në Turqi të premten e kaluar. Kroacia dështoi të fitojë ndaj Finlandës po atë ditë, duke i dhuruar Islandës vendin e parë në grup. Islandezët, në ndeshjen e sotme kundër Kosovës hynë për të fituar në mënyrë që të kualifikoheshin direkt për Botëror, gjë të cilën e bënë me shumë komoditet.

Goli i shënuar nga Gylfi Sigurdsson, që ia fitoi ndeshjen Islandës, ishte spektakolar, duke e mposhtur tërë repartin defansiv të Kosovës.

Sigurdsson — që nënshkroi për Evertonin për 40 milionë funte gjatë kësaj vere – është ylli më i madh i Islandës, por ai zakonisht nuk është vetjak.

Tani, të gjithë e dinë kush është Islanda në futboll, dhe askush nuk do t’i nënvlerësojë në Rusi, ku do të zhvillohet Kampionati Botëror më 2018.

Fakti më interesant i kombëtares islandeze është se përzgjedhësi i tyre, Dr. Heimir Hallgrimsson, është dentist me profesion.