Sport

Shtyhet afati për shitjen e biletave, Itali – Shqipëri

Qeveria e futbollit shqiptar vendosi të shtyjë afatin e shitjes së biletave për tifozët që do të duan të ndjekin nga afër kombëtaren në transfertën delikate ndaj Italisë këtë fund muaji.

FSHF ka çuar deri në 16 mars, limitin për tifozët që të mund të sigurojnë një vend në stadiumin “Renxo Barbera” të Palermos, për sfidën eliminatore të botërorit 2018 ndaj të kaltërve.

Institucioni më i lartë i futbollit shqiptar ka vendosur të lehtësojë kështu presionin te ata tifozë që ende nuk kanë menduar detajet logjistike të udhëtimit në ishullin e Sicilisë. 90 minutëshi që do të luhet në 24 mars në Palermo, pritet të ketë prezencën e një numri të madh tifozësh kuqezi, kjo dhe për shkak të emigrantëve të shumtë shqiptarë në vendin fqinj.

Biletat mund të blihen në zyrat e FSHF ku të interesuarit do të deklarojnë edhe të dhënat e detyruara për të përfituar aksesin. Afati ishte vendosur fillimisht nga federata italiane, por pas një kërkese nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit është shtyrë deri në datën 16 mars, raporton TCH.

Në dispozicion të tifozëve shqiptarë janë biletat e sektorit të miqve me çmim 12 euro dhe personat e interesuar duhet të kenë me vete kartën e identitetit sepse në bazë të rregullores në vendin fqinj, biletat do të jenë të personalizuara.

Shqipëria ndodhet në vendin e 4 në grupin eliminator me 6 pikë të grumbulluara pas 4 ndeshjesh. Pas përballjes me Italinë, kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e radhës në 11 qershor në Izrael.