Mbahet “Maratona e Malësisë së Gjakovës” mes Kosovës dhe Shqipërisë

Mbahet “Maratona e Malësisë së Gjakovës” mes Kosovës dhe Shqipërisë

07 tetor 2017 21:38

Në motin me shi dhe shumë të ftohtë sot është mbajtur maratona ndërkombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, “Maratona e Malësisë së Gjakovës”, që vrapohet në relacionin Gjakovë – Bajram Curri.

Shtegu i maratonës shtrihet përgjatë peizazhit piktoresk të Valbonës, në Alpet shqiptare. Maratona ka filluar nga qendra e qytetit të Gjakovës dhe ka përfunduar në qendër të qytetit të Bajram Currit në veri të Shqipërisë, afër kufirit me Kosovën.

Mbi 200 vrapues nga Kosova dhe jashtë saj, si dhe nga diaspora, garuan në tre disiplina, maratona prej 42.195 km, gjysmë maratona prej 21 km dhe stafeta 4 x 10 km, raporton Anadolu Agency (AA).

Fitues i “Maratonës së Malësisë së Gjakovës 2017” është keniani Benard Kupkorir Talam, i cili shtegun prej 42.195 km e vrapoi për 2:33:21h. Vendi i dytë i takoi Willy Koriru, po ashtu kenian (2:35:46), ndërsa vendi i tretë i takoi Ilir Rrudhani nga Kosova (2:51:54).

Tek femrat vendin e parë e mori Maureeen Jepkoec Kiprono nga Kenia me 3:11:23, të dytin e mori Hellen Jepkosgie Kimutai nga Kenia (3:11:29) dhe vendin e tretë e mori Biljana Kiradzhijeva nga Maqedonia (3:13: 41). Fituesve u janë ndarë shpërblimet në vlerë prej 1000, 750 dhe 500 euro.

“Kur nisëm ishte shumë ftohtë, por ishte shumë i bukur”, deklaroi Talam pas fitores.

Mimoza Kusari – Lila, deputete në Kuvendin e Kosovës e cila edhe vet me sukses vrapoi në maratonën e sotme, shprehu bindjen se maratona do të bëhet tradicionale meqë përveç promovimit të sportit ka për qëllim edhe promovimin e Gjakovës, Bajram Currin dhe malet e Gjakovës, si dhe tërheqjen e sa më shumë vizitorëve.

“Vitin e kaluar moton e kishim ‘Vrapojmë për natyrën’, me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së natyrës, ndërsa këtë vit iu bashkuam fushatës botërore (He for she (Ai për atë), që është fushatë e Kombeve të Bashkuara për barazinë gjinore”, tha Kusari – Lila.

Feride Rrahmanaj, zëvendës – kryetare e bashkisë Bajram Curri, Tropojë, deklaroi se për ata kjo maratonë paraqet nder të madh dhe falënderoi të gjithë organizatorët. “Në njëfarë mënyre promovojmë malet e Gjakovës të cilat me vite ishin të ndara, por sot janë të bashkuara më shumë se kurrë me pjesën e Gjakovës”, tha Rrahmanaj.

Tarifa e pjesëmarrjes në maratonë ishte 20 euro, ndërsa mjetet e mbledhura këtë vit synohen për shtëpitë për kujdesin e grave të dhunuara në Kosovë apo Shqipëri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme