Sport

Heynckes akoma s’ka vendosur për ofertën e Bayernit

Jupp Heynckes ka thënë se akoma nuk ka vendosur nëse do të pranojë ofertën e Bayern Munihut për t’u bërë trajner i kësaj skuadre sërish.

Javën e shkuar, Carlo Ancelotti u shkarkua nga pozita e tij pas startit të dobët të sezonit dhe kjo shpiu në spekulimet që i bënin Thomas Tuchelin, Julian Nagelsmannin, Louis van Gaalin dhe Luis Enriquen zëvendësues të Ancelottit.

Gjithsesi, të enjten është raportuar se Heynckesit – që së fundmi menaxhoi Bayernin më 2013 – i është ofruar shansi për t’u kthyer në klub, dhe trajneri i njohur ka konfirmuar raportimet.

“Nuk është akoma e qartë apo e nënshkruar. Duhet të analizoj gjithçka fillimisht. Katër vjet e gjysmë që kur u largova nga Bavaria dhe futbolli ka ndryshuar”, ka deklaruar 72-vjeçari për “RPOnline”.

Heynckes përmbylli karrierën te Bayerni duke fituar Ligën e Kampionëve.