Sport

Ujkani dëshiron t’ia dhurojë një fitore Bunjakit

Descriptive Text

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, dëshiron që Kosova ta mbyllë ciklin kualifikues për Botëror me një fitore dhe këtë fitore t’ia dedikojë përzgjedhësit Albert Bunjaki, që do të largohet pas kualifikimeve.

Kosova, që s’ka fituar akoma asnjë ndeshje zyrtare, të premten takohet me Ukrainën dhe tre ditë më pas luan ndaj Islandës në dy ndeshjet e fundit të kualifikimeve për Botërorin 2018.

Bunjaki tashmë ka konfirmuar se do të largohet nga ekipi përfaqësues pas kësaj faze të kualifikimeve, ndërsa ai është falënderuar nga kapiteni për mundin dhe gjithçka që ka dhënë për Kosovën.

“Falënderoj trajnerin për mundin dhe gjithçka që ka bërë për t’i grumbulluar futbollistët që të luajnë për Kosovën. Unë besoj se mund të sigurojmë një fitore dhe atë ta arrijmë për trajnerin”, ka thënë Ujkani.

Kjo është ndeshja e fundit e Bunjakit si vendas, edhe pse asnjëherë nuk i ka zhvilluar ndeshjet në Kosovë, por vetëm në Shqipëri.