Sport

Januzaj: Zgjodha Belgjikën sepse kam lindur aty

Descriptive Text

Adnan Januzaj ka rrëfyer për “DailyMail” arsyet e vendimit të tij që të përfaqësojë Belgjikën dhe jo Kosovën, Shqipërinë apo Anglinë.

22-vjeçari, që së fundmi ka pasur rënie të formës, ka thënë se Belgjika është vendi i tij i lindjes dhe se për këtë arsye e ka zgjedhur këtë vend.

“Kam lindur në Belgjikë, jam rritur aty. Për këtë zgjodha Belgjikën. Është vendi ku kam lindur dhe është shteti im. Ishte vit i shkëlqyer për mua. Pas vitit të parë, gjithçka u bë më e vështirë”, ka thënë Januzaj.

Zyrtarë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës disa herë kanë deklaruar se kanë ftuar Januzajn për Kosovën, pas pranimit me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA, por vetë lojtari nuk i ishte përgjigjur këtyre thirrjeve.

Në këtë intervistë për “DailyMail”, anëtari i Real Sociedadit ka folur edhe për raportimet se ai “ishte lazdruar” dhe nuk ishte i interesuar që të luante më futboll dhe se këto ishin arsyet që çuan në largim nga Unitedi.

22-vjeçari shpërtheu në Old Trafford më 2013 nën urdhrat e David Moyesit dhe pas 35 paraqitjeve realizoi katër gola në sezonin e parë. Megjithatë, deri në largim këtë verë ai pati vetëm 28 paraqitje në të gjitha sezonet.

Regresi i Januzajt nisi më 2014 kur në krye të Unitedit erdhi Louis Van Gaal. Unitedi bleu Angel Di Marian dhe Radamel Falcaon. Me largimin e tij drejt Sunderlandit dhe më pas drejt Dortmundit, Januzaj kishte humbur vetëbesimin dhe kjo, sipas “DailyMail”, kishte shkaktuar rënie të formës. Reprezentuesi i Belgjikës dështoi të bindte Unitedin për ta kthyer në skuadër pas huazimeve te Dortmundi dhe Sunderlandi.

“Që kur isha fëmijë e kam dashur futbollin. Nisa në moshën katërvjeçare dhe kjo ishte gjithçka që doja. Këto raportime janë budallallëqe. Kam pasur statistika të mira kur hyra në skuadër. Alex Ferguson më shkroi dhe më kontaktoi gjatë huazimeve. Më tha ‘vazhdo të punosh, mos u dorëzo, jeta vazhdon, ki kualitete dhe mos u ndal së punuari kurrë’. Kisha nevojë për këtë. Ryan Giggs ishte asistent gjatë kohës së Louis Van Gaalit. Ai vazhdimisht më fliste dhe përpiqej të më ndihmonte. Ai e shihte se nuk isha Adnani që të gjithë e njihnin”, ka thënë Januzaj për “Daily Mail”.