Sport

Kosova shkëlqen në Kampionatin Ballkanik, rrëmben katër medalje

Katër kik-boksierë, katër medalje, është sukses i madh i përfaqësueses së Kosovës në Kampionatin Ballkanik që u mbajt për dy ditë rresht në Bjelo Polje të Malit të Zi.

Në një konkurrencë tejet të madhe, ku në ring u ngjitën rreth 150 kik-boksierë nga shumica e shteteve ballkanike, Kosova u përfaqësua më katër garues.

Valdrin Ibishi rrëmbeu medaljen e artë, Gëzim Behrami e Dardan Menxhiqi të argjendtë dhe Denis Halimi të bronzte.

Përzgjedhësi i Kosovës, Lutfi Menxhiqi i ka thënë KosovaPress-it se është shumë i lumtur me paraqitjet e garueseve të tij, sepse kik-boksierët e tij treguan performancë të lartë, dhe më pak fat, Kosova ka mundur ta rrëmbejë edhe medaljen e artë me garuesin Dardan Menxhiqin, i cili humbi në finale nga kampioni në fuqi i botës, Dimitar Penqev.

I pari i bankinës sonë, është i bindur se Dardani do t’i hakmerret bullgarit në Kampionatin Botëror për senior që do të mbahet në Budapest, sepse mundësia është shumë e madhe që Menxhiqi të ndeshet sërish në finale me bullgarin.

“Paraqitja ka qenë dinjitoze, shumë e mirë, garuesit tonë tregua cilësi të lartë dhe e dëshmuan vetën në këtë gare. Si selektor i përfaqësuese jam shumë i kënaqur me paraqitjen e garuesve tonë. Ky është vetëm fillimi sukseseve tona në arenën ndërkombëtare. Na presin sfidat të mëdha si Kampionati Botëror për Senior në Budapest dhe shpresoj se Dardan Menxhiqi do t’i hakmerret bullgarit në Budapest, sepse gjasat janë të mëdha që sërish këta dy të ndeshen në finalen e Botërorit. Sukses shumë i madh, katër garues, katër medalje, një ari, dy argjendtë dhe një bronze”, ka thënë Menxhiqi.

Image

Ai ka shtuar se Dardani në këtë eveniment ka ardhur të luftojë në kategorinë 63.5, por për shkak të mbi peshës është dashur të garojnë në 67 kg, ku kundërshtarët kanë qenë më të fortë.

I kënaqur me paraqitjen e garueseve tonë në Kampionatin Ballkanik, është shprehur edhe presidenti i Federatës së Kik-boksit të Kosovës, Fatmir Makolli.

“Unë jam shumë i kënaqur me paraqitjen e garuesve tonë në këtë Kampionatin Ballkanik. Këto rezultate nuk duan shumë komente, pasi që më katër garues fituam katër medalje, e po të ishim me 30 garues sikur të kishim mundësi, dhe të kishim përkrahje më të madhe nga Ministria e Sportit dhe shtetit tonë, në Kosovë do të ishim kthyer edhe më shumë medalje tjera. Por sidoqoftë ky është sukses në vazhdimësi i Federatës së Kik-Boksit të Kosovës dhe garuesve tonë. Çdo ditë përfaqësuesja e Kosovës në Kik-boks po rritet dhe po bëhet edhe më e fortë dhe në të ardhmen jam i bindur se shumë shtete do të hezitojnë të përballën më garueist tonë në të ardhme, sepse kemi një gjeneratë shumë të mirë të kik-boksierëve tonë”, tha ai.

Makolli ka uruar garuesit tonë për sukseset e arritura, ku sipas tij çdo një njeri nga ta e ka prezantuar në mënyrë dinjitoze Kosovën.

Sfidat e radhës për kik-boksieët tonë është Kampionati Botëror për Senior në Budapest dhe në turneun e madh të Kroacisë.