Sport

Llapi ruan lidershipin në Superligë

Llapi ruan lidershipin në Superligë, pas fitores ndaj Vëllaznimit, me rezultat 2:0.

Në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, vendësit me nga një gol në fillimin e çdo pjese, siguruan edhe fitoren e 4-të në këtë edicion dhe mbeten skuadër e pamposhtur në elitë, raporton KTV.

Gjakovarët që u përballën me probleme financiare, gjatë javës, me lojtarët që bojkotuan stërvitjet, u gjetën herët në disavantazh.

Nga një veprim që nuk premtonte shumë, Llapi kaloi në epërsi në minutën e 13-të, me Mirlind Dakun që përfitoi nga gabimi i portierit Altik Muhaxhiri.

2 minuta pas golit të shënuar, vendësit patën mundësi të mirë shënimi me Gentrit Begollin, por këtë herë portieri Muaxhiri reagoi më mirë.

Gjakovarët të befasuar nga goli i pësuar për herë të parë rrezikuan portën e kundërshtarit në minutën e 25-të, me Semir Zenelin që gjuajti lehtë.

Shtatë minuta më vonë, “kuqezinjtë” tentuan të barazojnë rezultatin me mbrojtësin Tun Bardhoku, por goditja e tij ndalet me vështirësi nga portieri Ademi, transmeton Koha.net.

Skuadra e Ismet Munishit, e nisi më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 46-të kërkoi penalti në këtë rast, por nuk mendoi kështu edhe gjyqtari Selim Isufi.

3 minuta më vonë, mysafirët e patën mundësinë më të mirë për shënim, kur mesfushori Lorik Rudi gjuajti nga largësia, por shtylla shpëtoi llapjanët.

Kur gjakovarët filluan ta merrnin iniciativën dhe të krijonin raste, vendësit ndëshkuan mysafirët në minutën e 55-të.

Nga një harkim prej këndit i Mentor Zhdrellës, kapiteni Hamdi Namani, dërgoi topin në portën mysafire.

Futbollistët e Llapit shënuan edhe golin e tretë, por që u anulua nga gjyqtari Isufi për ndërhyrje të palejuar në portierin Muhaxhiri.

Në xhiron e ardhshme, Llapi udhëton te kampioni aktual Trepça ’89 kurse Vëllaznimi luan si nikoqirë i Besës nga Peja.