Sport

Kompromisi Kosovë - FIBA: 2.813 ulëse në palestër

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do t'i luajë në Prishtinë ndeshjet e raundit të parë eliminator për botërorin "Kina 2019", nëse projekti për shtimin e kapacitetit të ulëseve në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë e Sporteve përfundon tri javë para ndeshjes së parë.

Kosova bën pjesë në Grupin C eliminator së bashku me Lituaninë, Hungarinë e Poloninë. Ndeshjen e parë do ta luajë si vendëse kundër Lituanisë më 23 nëntor, që i bie se më 2 nëntor palestra duhet të jetë gati. Kjo është bërë e ditur të enjten në një konferencë për shtyp të mbajtur nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), në ditën e dytë të vizitës së këshilltarit të sekretarit të përgjithshëm të FIBA-s, Lubomir Kotleba, shkruan sot Koha Ditore.

Qëllimi i vizitës së Kotlebas ishte inspektimi i palestrës së vogël. FIBA më herët kishte paralajmëruar FBK-në se nuk mund t'i luajë ndeshjet në këtë palestër me këtë kapacitet që ka, por pas projektit për shtim të ulëseve, pritet që FIBA të japë dritën e gjelbër. Pos ulëseve, që do të jenë fiks 2.813, pritet të ketë investim edhe në ndriçim.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.