Sport

Coutinho: Isha i interesuar për një kalim te Barcelona, por kjo tani i përket së kaluarës

Descriptive Text

Philippe Coutinho ka folur për herë të parë për atë se sa afër ishte kalimit në Barcelonë por insiston se nuk ka marrëveshje që ai të largohet nga Liverpooli vitin e ardhshëm.

Përfaqësuesi i Brazilit nisi ndeshjen e parë të sezonit për Liverpoolin, dhe luajti 78 minuta në barazimin 1-1 me Burnleyn. Ai u prit ngrohtë para ndeshjes, por, me dëshpërimin që përjetuan tifozët me këtë barazim, ai nuk u duartrokit kur u largua nga fusha.

Barcelona bëri tri oferta për Coutinhon, dhe e fundit ishte 114 milionë funte. Barcelona, pas mbylljes së afatit kalimtar, tha se Liverpooli kishte kërkuar 186 milionë funte në ditën e fundit për shitjen e tij, deklaratë të cilën Liverpooli e mohoi menjëherë.

“Ajo çfarë ndodhi është se pata një ofertë për punë dhe në jetë, ndonjëherë interesohesh”, ka thënë Coutinho për “ESPN Brazil” para se të largohej nga “Anfield”.

“Ndonjëherë nuk ju intereson, por në rastin tim, të gjithë e dinë se u interesova, madje edhe familja ime u interesua. Por, siç kam thënë gjithmonë, është një ofertë e mirë për t’u pranuar nga një klub aq i madh. Por, është po ashtu nder i madh të jem këtu. Liverpooli është klub i madh në mbarë botën. Unë jam këtu dhe do të jap më të mirën si gjithmonë. Po punoj shumë, dhe mendjen e kam tek qëllimet e klubit, të kemi një sezon të mirë”, u shpreh Coutinho, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, për të sqaruar të ardhmen e tij, Coutinho tha: “Ishte një muaj i komplikuar për mua dhe, siç kam thënë, është nderë të pranosh atë ofertë, por është nderë po ashtu të bartësh këtë fanellë, dhe krejt çka mund të bëj është të punoj shumë dhe ta nderoj këtë në fushë. Gjithçka është në rregull”.

Kur Liverpooli pati një situatë të ngjashme me këtë, Luis Suarez u dha atyre një vit kohë para se të kalonte në Barcelonë për 75 milionë funte dhe ekziston një ndjenjë se edhe Coutinho do të veprojë njësoj.

Ai u pyet direkt nga “ESPN Brazil” nëse do të ndjek hapin e mikut të tij Suarez në Camp Nou, por Coutinho, i cili nënshkroi kontratë pesë vjeçare në janar, tha: “Për aq sa e di unë, jo. Jam në një vend ku më kanë respektuar gjithmonë të gjithë dhe unë i respektoj të gjithë”.

“E kam pushtuar hapësirën time në katër-pesë vjet dhe asnjëherë nuk kam pasur probleme me askënd – as me fansat, as me bordin, as me bashkëlojtarët e as me stafin teknik. Kjo s’ka ndryshuar. Siç thash, në jetë, në çdo punë që e bëni pranoni oferta, ju interesuan apo jo. Krejt kjo është e kaluar tani”.