Sport

FFK-ja ndan 8.300 euro gjoba për klube, lojtarë e zyrtarë

Xhirollogarisë së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do t'i shtohen 8.300 euro vetëm nga gjobat që ka shqiptar Komisioni Disiplinor (KD) ndaj klubeve dhe zyrtarëve të tyre, të premten, shkruan sot Koha Ditore.

Dënimin më të madh e ka marrë klubi i futbollit Gjilani.

Gjilani për lëshime në organizim të ndeshjes së xhiros së katërt të Vala Superligës, zhvilluar të enjten kundër Vëllaznimit, është gjobitur me 1.500 euro. Trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina për "sjellje josportive pas përfundimit të kësaj ndeshjeje dhe fjalë të rënda në drejtim të asistentit të dytë, është dënuar me 300 euro".

Me 300 euro për fyerje dhe sharje në drejtim të publikut të Gjilanit është gjobitur edhe trajneri i Vëllaznimit, Ismet Munishi. Dënim nga ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Vëllaznimit ka marrë edhe futbollisti i ekipit gjilanas, Gëzim Rusi. Ai nuk është dënuar financiarisht, por është pezulluar me tre muaj për shkak të goditjes së lojtarit kundërshtar pa posedim të topit.

KD-ja ka pezulluar edhe zyrtarin e FFK-së. Delegati i ndeshjes Gjilani - Vëllaznimi, Naser Sinani, për fshehje të rastit kur lojtari i Gjilanit kishte goditur me kokë pa top lojtarin mysafir, është pezulluar për një muaj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.