Hapet Panairi i Sportit në Gjilan

Hapet Panairi i Sportit në Gjilan

14 shtator 2017 15:34

Në Gjilan është hapur sot edicioni i tretë i Panairit të Sporteve, i cili është organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit.

Sipas kryetarit të KOK-ut, Besim Hasani, qëllimi i këtij panairi është masovizimi dhe promovimi i sportit te fëmijët, të cilët do të kenë rastin të shohin sportet të cilat praktikohen në komunën e tyre, dhe pse jo edhe inkuadrimin në sportin e tyre të preferuar.

Hasani ka theksuar se Kosova ka talentë të mëdhenj, dhe se ai beson që edhe nga Gjilani mund të dalin kampionë botërorë si Majlinda Kelmendi.

“Sot është një shansë e shkëlqyer që fëmijët të cilët do ta vizitojnë këtë panair, kjo nënkupton se fëmijët mund ta shohin tërë ofertën që ofrojnë klubet ktu në Gjilan dhe ata mund ta përzgjedhin sportin e tyre të preferuar dhe duke zgjedhur këtë sport në këtë moshën e re, ata një ditë mund të bëhen sikur emrat më të mëdhenj që i ka sporti i Kosovës, çoftë në të kaluarën, çoftë në ditët e sotme. Ata padyshim mund të bëhen një Majlinda Kelmendi sepse edhe ajo një ditë ka pasë dilemë të merret me sport apo mos të merret me sport. Por, ja që dikush e ka nxitur të merret me sport dhe sot është personaliteti jo vetëm më i njohur në Republikën e Kosovës por është femra xhudiste më e mira në botë”, ka thënë Hasani.

Ndërkohë, edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, ka vlerësuar rëndësinë që ka organizimi i panaireve të tilla, duke theksuar se Komuna e Gjilanit po mundohet t’i mbështesë sportistët e saj, dhe se një gjë të tillë do të vazhdojnë ta bëjnë edhe më tutje.

“Sigurisht që ne si Komunë, gjatë kësaj periudhe kohore i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë sportit dhe aq sa kanë lejuar mundësitë tona, kapacitetet tona, kemi subvencionuar të gjitha kategoritë e sportit me qëllim që të japin mundësi , hapësirë të gjithë talentët të rinj dhe atyre aktiv që të zhvillojnë talentin e tyre. Ne një angazhim të tillë do ta vazhdojmë patjetër tutje sepse kemi arsye kemi motiv që edhe ne të punojmë për juve dhe ju të punoni për vete dhe të tregoni rezultate që ta bëni të ndjehet krenar Gjilani me talentët që i ka”, u shpreh Kurteshi – Emini.

Panairi i Sporteve është mbajtur sot edhe në qytetin e Gjakovës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme