Sport

Nowitzki shkruan historinë, arrin 30 mijë pikë në NBA

Descriptive Text

Dallas, 8 mars – Në fitoren e mbrëmshme të Dallas Mavericks kundër ekipit Lost Angeles Lakers me rezultatin 122-111, gjermani Dirk Nowitzki shënoi 25 pikë, një e arritur mesatare, mirëpo kjo i ka mundësuar atij të bëhet lojrati i gjashtë në historinë e ligës prestigjoze NBA me mbi 30.000 pikë të shënuar.

Në të njëjtën kohë, gjermani Nowitzki është bërë lojtari i parë ndërkombëtar i cili ka arritur këtë shifër, ndërkohë që është njëri nga tre lojtarët e vetëm që kanë shënuar këtë numër për vetëm një ekip.

Më herët, këtë e arritën Karl Malone (Utah) dhe Kobe Bryant (Lakers).

Tridhjetë e tetë vjeçari gjerman ishte lojtari i ndeshjes në fitoren kundër ekipit Lakers, pasi përveç 25 pikëve të shënuara, regjistroi edhe 11 kërcime.

Aktualisht Nowitzki ka 30.005 pikë ndërsa para tij në listën e shënuesve më të mirë të të gjitha kohërave radhiten Kareem Abdul-Jabbar (38.387), Karl Malone (36.928), Kobe Bryant (33.643), Michael Jordan (32.292) dhe Wilt Chamberlain (31.419).