Sport

Joshua - Pulev, më 28 tetor në Cardiff

Boksieri bullgar Kubrat Pulev është i bindur se do të shkaktojë një befasi të madhe kur të përballet me kampionin e botës në peshën e rëndë të boksit profesionist, britanikun Anthony Joshua, për titujt IBF, WBA dhe IBO, më 28 tetor në Cardiff.

“Anthony Joshua është një rival i madh dhe i rrezikshëm, por stili i tij më përshtatet në mënyrë perfekte”, ka shkruar Pulev në “Facebook”, të hënën. 36-vjeçari ka një humbje karshi 25 fitoreve në karrierën profesioniste, transmeton “Koha Ditore”.

“Në boks, stilet e boksierëve diktojnë meçin dhe nuk do të ketë shumë kapje, do të ketë boks të rëndë. Përgatitjet e mia do të shkojnë shumë intensivisht për shkak të kohës së shkurtër që kam në dispozicion. Do të jem në mënyrë perfekte i përgatitur, kur të ngjitem në ring, në mënyrë që ai të mos ketë gjasa kundër meje”.

Joshua, 27-vjeçar ka fituar 19 meçet e tij në boksin profesionist, që të gjitha me nokaut. Ai së fundi triumfoi më 29 prill, duke mposhtur me nokaut teknik në raundin e 11-të ukrainasin Wladimir Klitschko.

Joshuas i është thënë të ndeshej më së largu deri më 2 dhjetor me kundërshtarin e detyruar sipas versionit IBF, Pulevin, përndryshe do t'i merret titulli. Ndërkohë, Federata Botërore WBA, po ashtu, i ka dhënë Joshuas ultimatum që të ndeshet me kundërshtarin e detyrueshëm sipas saj, kubanin Luis Ortiz.

Pulev, ish-kampion i Evropës në peshën e rëndë, kishte luftuar për titull bote në vitin 2014, por ishte mposhtur me nokaut teknik në raundin e pestë nga Wladimir Klitschko.