Sport

Besa bën hapin e madh

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas ka bërë hapin e madh për të kaluar rrethin e parë të Kupës së EHF-së, që është niveli i dytë i garave evropiane, shkruan Koha Ditore.

Besa të dielën mbrëma në palestrën "Karagaçi" në Pejë fitoi me tetë gola dallim, 29:21, ndaj Beykozit turk. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Turqi, por një epërsi prej tetë golave nga ndeshja e parë do t'ua bëjë pejanëve udhëtimin më të lehtë. Gjithsesi fitorja nuk është garanci që Besa do të kalojë raundin, ndonëse është në rrugën e duhur për të bërë këtë.

Ekipi pejan, që drejtohet nga Arben Muqolli, herët ka krijuar epërsi që vetëm është rritur me kalimin e kohës. Pjesa e parë u mbyll 14:9 për Besën, ndërsa më pas epërsia shkoi deri në tetë gola.

Më efikas te Besa ishin Goran Biljaka e Tarik Mediq me nga shtatë gola. Kastriot Jupa shënoi pesë herë, Drilon Tahirukaj katër herë, ndërsa Jon Muqolli tri herë. Te Beykozi, që për herë të parë garon në Evropë, më efikasi ishte iraniani Afshin Sadeghi Askari me shtatë gola, transmeton Koha Ditore.

Për Besën kjo është pjesëmarrja e 12-të në Kupa Evropiane. Tri herë ia ka dalë të kalojë nga një rreth garash.

"Kryesisht jemi të kënaqur me lojën dhe fitoren. Pas një kohe të gjatë kemi pasur përkrahje shumë të mirë nga tribunat dhe ishte shumë mirë të luash në një atmosferë të tillë. Sa i takon ndeshjes, e kemi dhënë maksimumin, kemi luajtur një ndeshje të mirë dhe kemi fituar në fund. Por kjo është vetëm gjysma e punës. Mendoj se na pret ndeshje e vështirë në Turqi, por besoj se mund të kalojmë në rrethin tjetër të Kupës së EHF-së", ka thënë kroati Biljaka, që për Besën luan një kohë të gjatë.

Pos Besës, këtë edicion në gara evropiane paraqitet edhe Trepça te meshkujt dhe tri skuadra të femrave.