Sport

F1, Hamilton e Mercedes fitojnë në shtëpinë e Ferrarit

Descriptive Text

Gara për Çmimin e Madh të Italisë, në Monza, është mbyllur me fitoren e dyfishtë të Mercedesit, sigurisht me britanikun Hamilton në majën më të lartë të podiumit, i cili plotësohet nga Bottas dhe Vettel në shkallët më të ulëta.

Ndryshe nga çfarë ndodhi në provat zyrtare, me atë tejzgjatje kohore për shkak të motit me reshje të dendura shiu, gara në Monza u zhvillua nën rrezet e diellit.

Edhe në të tilla kushte, “shigjetat e argjendta” u shfaqën superiore ndaj “kokëkuqeve”, që pavarësisht se garonin në shtëpinë e tyre nuk patën thuajse aspak mundësi të rivalizonin Hamiltonin, duke lënë të zhgënjyer tifozët e shumtë të pranishëm të Ferrarit. Jo vetëm për mungesën e triumfit të shumëpritur, por edhe për performancën e dobët të Raikkonen, që e mbylli garën në vendin e pestë, pas Ricciardos me Red Bull, shkruan Tch.

Me këtë fitore, britaniku Hamilton katapultohet në krye të renditjes për pilotë, me 238 pikë, 3 më shumë sesa Sebastian Vettel me Ferrari.

Gara e ardhshme e Botërorit të Formulës 1 zhvillohet pas dy javësh në Singapor.