Sport

Atletico i kërkon Costas të kthehet te Chelsea

Atletico Madridi raportohet se e ka këshilluar Diego Costan që të kthehet te Chelsea, pas dështimit që ta transferojë këtë verë.

28-vjeçari ka qenë në Brazil që nga fundi i sezonit të shkuar dhe ka thënë se nuk do të luajë më për “Blutë” pas një përplasje që ka pasur me trajnerin Antonio Conte.

Raportime të shumta kanë thënë se futbollisti do të kalojë te Los Colchoneros këtë verë dhe do të huazohet deri në janar, kur të përfundojë dënimi i Atleticos, por asnjë marrëveshje nuk është arritur.

Costa është përfshirë në ekipin e 25 lojtarëve të Chelseat për pjesën e parë të sezonit, por spanjolli nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do të rikthehet.

Tani sipas “The Metro”, Atletico dëshiron që Costa të kthehet në Londër dhe të gjejë paqen me klubin për të lehtësuar një transferim gjatë janarit.

Costa ka shënuar 52 gola në 89 ndeshje të Premier Ligës për Chelsean, përfshirë 20 sezonin e shkuar kur u shpall kampion.