Sport

Grezda optimist për dy ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë

Ishte Eros Grezda lojtari i Kombëtares shqiptare që doli në konferencë për shtyp ditën e sotme në prag të dy ndeshjeve eliminatore ndaj Lihtenshtajnit dhe Maqedonisë, duke u shprehur mjaft optimist për rezultate pozitive.

Ai u shpreh se Kombëtarja shqiptare do të marrë 6 pikë në dy sfidat eliminatore, por sipas tij përqendrimi fillimisht është i gjithi të Lihtenshtajni.

“Luajmë me Lihtenshtajnin dhe ne jemi ekipi favorit dhe duhet të sulmojmë, për këtë arsye trajneri ka grumbulluar më shumë lojtarë në repartin ofansiv pasi futemi në fushë vetëm për të marrë fitoren dhe për këtë duhet të luajmë me një skemë më sulmuese. Secili trajner ka metodat e veta të punës, por si me De Biasin ashtu edhe me Panuccin jemi të kënaqur po punojmë fortë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën. Skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen me Lihtenshtajnin sepse nuk është një sfidë e lehtë, sot të gjithë kundërshtarët janë të vështirë, edhe pse në letër e quajmë si një sfidë të fituar duhet t’i marrim pikët në fushë. Të mposhtim Lihtenshtajnin njëherë dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë, edhe atje do të shkojmë për fitore”, u shpreh Grezda, raporton tch.

Sa i përket aspektit personal të tij në Kombëtaren shqiptare, ai shprehet se gjithmonë kur i është dhënë mundësia është munduar të japë maksimumin, ndërsa tashmë shpreson të jetë edhe titullar.

“Për fat të keq nuk kam filluar asnjë ndeshje nga minuta e parë, kam luajtur disa minuta me Italinë dhe me Luksemburgun, nuk e di sesa kam arritur t’ia mbush mendjen trajnerit, por unë kam dhënë maksimumin dhe shpresoj të luaj që nga minuta e parë në ndeshjet e ardhshme. Nuk kam biseduar shumë me trajnerin e ri, kemi pak ditë që kemi ardhur dhe kemi qenë shumë të përqendruar në seancat stërvitore. Trajneri do të bëjë zgjedhjet e tij, për ne futbollistët e rëndësishme është të tregojmë vlerat tona sa herë që na jepet rasti të luajmë”, tha Grezda.