Sport

Mayweather pensionohet, lavdëron McGregorin për paraqitjen

Floyd Mayweather i ka dhënë fund karrierës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke vendosur rekord në boks me 50 fitore e asnjë humbje.

Ai mbrëmë theu rekordin e Rocky Marcianos, që kishte mbyllur karrierën me 49 fitore e asnjë humbje, transmeton Koha.net.

40 vjeçari mbrëmë e mposhti kampionin e UFC-së, Conor McGregor në një nga ndeshjet më të shtrenjta në histori të boksit, e cila u zhvillua në Las Vegas.

McGregor arriti t’iu qëndroj goditjeve të Mayweatherit deri në raundin e dhjetë, moment ky që e shpalli fitues amerikanin.

Megjithatë, Mayweather ka lavdëruar irlandezin duke thënë se “ai është një kampion i vërtetë, dhe luftëtar i madh.

“Ai është një luftëtar i vështirë, dhe iu dhamë fansave atë çfarë donin të shihnin, iu kisha borxh atyre për luftën me Manny Pacquiaon. McGregor ishte shumë më i mirë se që mendoja. Ishte kundërshtar i vështirë, por unë isha më i mirë. Plani ishte që të shfrytëzonim kohën, të lejonim të godiste dhe në fund ta mposhtja”, është shprehur amerikani, raporton BBC.

“Në MMA ai lufton 25 minuta në nivel të lartë, më pas fillon të ngadalësohet. Iu kam garantuar se kjo nuk do të zgjaste aq shumë. Reputacioni i boksit ishte në rrezik”, është shprehur Mayweather.

Ai më tutje ka shtuar se shpreson që një ditë të jetë në “hollin e të famshmëve”, ndërsa ka konfirmuar se ky ishte meçi i tij i fundit.

“Rocky Marciano është një legjendë, dhe po shikoj që një ditë të hyjë në hollin e të famshmëve. Ky ishte meçi im i fundit, me siguri. Kam zgjedhur partnerin e duhur për vallëzim. Conor McGregor, je një kampion i vërtetë”, ka përfunduar ai.