Sport

Albian Ajeti në garë për lojtarin e muajit në Zvicër

Albian Ajeti është një prej emrave që po mahnit në Zvicër në këtë sezon dhe për të nuk mungojnë vlerësimet më të mëdha që nga momenti kur vendosi të veshë fanellën e St. Galen.

Golat e vëllait të Arlind Ajetit, kanë bërë që klubi të largohet nga zona e ftohtë e klasifikimit dhe normalisht që ai është kthyer në një nga personazhet e momentit në Zvicër.

Tre gola në 4 ndeshjet e luajtura në muajin shkurt kanë bërë që Ajeti të përfshihet nga “Blick” mes kandidatëve për lojtarin më të mirë të muajit, në një sondazh i cili votohet nga vetë tifozët. Rivalët e Ajetit janë Eljonusi dhe Janko të Bazelit, Asale i Jang Bojz dhe Akolo i Sion, transmeton Panorama Sport.

Image

FSHF monitoron prej kohësh sulmuesin, i cili bashkë me vëllain e tij Adonisin, ndonëse kanë luajtur me përfaqësueset e moshave të Zvicrës, janë pajisur prej dy vitesh me pasaportën shqiptare.

Shpeshherë është përfolur për një kalim të tij në kombëtaren kuqezi, por për momentin, nuk është bërë asnjë hap konkret. Për lojtarin aktualisht do të ishte e vështirë të gjente vend në formacion, duke llogaritur formën që po kalojnë emra si Sadiku e Balaj.