Sport

Flet Smajlaj pas shqiponjës në Beograd: E kisha parashikuar një festë të tillë

Kampioni më i ri i Evropës në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj, shprehu emocionet e para pas triumfit në Beograd.

Ai, në një intervistë për “Panorama Sport”, zbuloi se e kishte parashikuar më herët festën me shqiponjën.

Ç’do të thotë për ju që të shpalleni kampion i Evropës në Beograd?

Është gjëja më e bukur në botë. E kam shprehur dhe më herët, plus që jam stërvitur intensivisht, se e gjithë vëmendja ime ka qenë për këto dy gara. Ëndrra ime ishte për një kurorëzim të tillë në Beograd dhe më në fund ia arrita qëllimit. Emocionet ishin shumë të mëdha. Ka qenë një garë e fortë, ishte finale mbi të gjitha.

Ndërkohë, unë këtë rezultat ia dedikoj familjes sime, trajnerit tim, presidentit Gjergj Ruli dhe në veçanti babait tim. Pikërisht prej tij kam vazhduar sportin. Po të mos kisha mbështetjen e familjes, nuk do të isha kurrkund sot. Prej muajsh, presidenti i federatës ka deklaruar se unë do të jem kampion i ardhshëm i Evropës, kampion bote, kampion Ballkani.

Brenda një jave e ngritët dy herë flamurin në Serbi. Mos vallë kësaj here e ndiet veten më tepër nën presion nga fakti që ishte Evropian?

Normalisht që ka pasur presion, megjithatë unë kisha besim në vetvete që do arrija të shpallesha kampion Evrope. Është bërë një punë e madhe së bashku me trajnerin tim, të cilën e falënderoj nga zemra. Të mos harroni që ka qenë një garë e vështirë, ishte Evropian.

Kampion Evrope, njëherësh edhe rekordmen i dyfishtë kombëtar…

Po, është e vërtetë. Kam qenë në një gjendje shumë të mirë fizike. Të them të drejtën, kam rrezikuar mjaft në kërcimin e gjashtë, pasi deri atë moment pozicionohesha i treti. Por kjo është gara dhe gjithmonë ka të papritura. Unë jam shumë i gëzuar, pasi në radhë të parë kam bërë krenar Shkodrën time, të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. I falënderoj të gjithë për mbështetjen që më kanë dhënë.

Kush ju uroi i pari pasi fituat medaljen e artë?

Në fakt, unë kam qenë me familjen këtu. Nuk ka pasur gjë më të bukur në botë.

A keni një dedikim për këtë arritje tuajën historike?

Dedikimi në radhë të parë shkon për familjen. Nëse do të kisha pasur mbështetje, do të kisha arritur shumë.

Pas kërcimit, ju keni festuar duke formuar shqiponjën me duar. E rastësishme ai moment?

Për të qenë i sinqertë, e kisha parashikuar se do ta bëja shqiponjën nëse do ta shpallesha kampion. Megjithatë, dua të shpreh falënderimet e mia për popullin e Beogradit, pasi më kanë pritur shumë mirë.

Mendoni se atletika është e vlerësuar nga autoritetet?

Do preferoja të mos komentoja këtë gjë tani, po të shijoj momentin si kampioni më i ri i Evropës. Normalisht kërkoj mbështetjen e shtetit, pasi tani afër është Kampionati Botëror dhe kam pretendimet e mia për të hyrë në zonën e medaljeve. Për këtë jam duke u përgatitur.

Keni parashikuar ndonjë surprizë për nesër (sot) në ceremoninë e dorëzimit të medaljeve?

Të shohim...